Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, është marrë sot i pandehur nga SPAK për shkelje të parimeve të barazisë në tendera dhe ankande publike, si dhe për akuzat e tjera të rënda që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin.
Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë”, dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”.
Pas hetimeve të kryera mbi tenderat e shpallur nga Bashkia Kolonjë, është rezultuar se shumica e tyre janë të parapara, me një ndarje tenderash që duket të jetë e paracaktuar. Po ashtu, raportohet se punimet e realizuara për këto tendera nuk janë përfunduar as me cilësinë e duhur, as sipas projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.
Një rast konkret që përmendet është ai i rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.
© BalkanWeb