
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sërish shqetësimin e eksodit të shqiptarëve gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se çdo familje njeh një të afërm apo mik të larguar nga vendi.
Sipas saj, shifrat janë kokëforta: vetëm në tremujorin e fundit janë larguar nga forca aktive e punës 11 mijë shqiptarë të moshës 15-29 vjeç, ndërsa 7 mijë të tjerë nga mosha 35-65 vjeç.
“Arsyet janë të qarta – mungesa e shëndetësisë, arsimi i dobët për fëmijët, mungesa e mbështetjes sociale, pagat e ulëta dhe rritja e çmimeve. Ekonomia funksionon vetëm për një pakicë, ndërsa shumica e qytetarëve janë lënë pas dore,” theksoi Tabaku.
Ajo shtoi se standardet europiane, për të cilat shqiptarët janë detyruar të emigrojnë, duhet të ndërtohen në vend dhe jo të kërkohen jashtë.
“Ky sistem që nuk punon për shqiptarët duhet ndryshuar. Shqipëria duhet të bëhet shtëpia ku të rinjtë dhe familjet gjejnë shpresë, jo arsye për t’u larguar,” deklaroi deputetja demokrate.
© BalkanWeb
and then