Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar një rritje alarmante të çmimeve të banesave, duke u renditur e dyta në Europë pas Polonisë për rritjen më të madhe të çmimit të pasurive të patundshme.
Ajo theksoi se sipas raportit të “Deloitte Property Index 2025”, çmimi mesatar i një metri katror në Shqipëri ka arritur në 1620 euro, me një rritje prej 16.6% krahasuar me vitin 2024 dhe se kjo situatë ngre shqetësime të mëdha për qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me pasiguri ekonomike dhe kushte të vështira për blerjen e një banese.
Postimi i plotë i Erisa Xhixhos:
Shqipëria është e dyta në Europë për rritjen më të lartë të çmimeve të banesave.
Sipas raportit të “Deloitte Property Index 2025”, për rritjen e çmimit, ne renditemi të dytët pas Polonisë, një vend ku qeveria subvencionon strehimin.
Çmimi mesatar i një metri katror në Shqipëri është 1620 euro
Rritje 16.6% në krahasim me vitin 2024
Shqipëria lë pas vende me të ardhura të larta si:
Izraeli +12.7%
Hungaria +11.9%
Kroacia dhe Rumania +11.5%
Italia +11.2%
Greqia +10.2%
Kush e ushqen bumin e ndërtimit në vendin me pagat më të ulëta në Europë? Paraja e pistë e krimit dhe korrupsionit! Ndërsa shqiptarët nuk mbyllin dot muajin, kullat ngrihen përditë para syve të tyre.
Nëse një çifti të rinjsh i duhen 70 vjet për të blerë një apartament, stoku i apartamenteve bosh në Tiranë i ka kaluar 56 mijë.
Bumi i ndërtimit është mekanizmi për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit, me bekimin e qeverisë!
© BalkanWeb