Presidenti Bajram Begaj, mbajti fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në një moment të veçantë për Shqipërinë që shënon 70-vjetorin e anëtarësimit në OKB.
Kreu i Shtetit nënvizoi se ky përvjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit për dialog e bashkëpunim mes kombeve dhe një mundësi për t’u angazhuar më fort në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe solidaritetit global.
“Ne duhet të zgjedhim bashkëpunimin mbi kundërshtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin mbi indiferencën,” u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar rolin e OKB-së si platformën globale për të adresuar përgjigjet ndaj sfidave të përbashkëta.
Në fjalën e tij, ai ndaloi tek krizat aktuale botërore, duke ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin e Ukrainës dhe dënimin e agresionit rus. Njëherësh, Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë që lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata humanitare duhet të trajtohet me urgjencë.
Në planin rajonal, ai theksoi rolin e Shqipërisë si promotor i dialogut, fqinjësisë së mirë dhe integrimit rajonal, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një zonë paqeje dhe zhvillimi.
Presidenti theksoi se Kosova meriton vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Presidenti gjithashtu i kushtoi vëmendje më fjalën e tij kërkesës për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Ai solli në vëmendje arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, energjinë e pastër, transformimin digjital avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në agjendat zhvillimore të vendit.
“Shqipëria ka treguar se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë. Ne do të vazhdojmë të punojmë që fëmijët tanë të jetojnë në një botë më të sigurt, me dinjitet dhe në paqe,” përfundoi Presidenti Begaj, duke ftuar për unitet, përgjegjësi dhe guxim në përballimin e sfidave globale.
Fjala e plotë:
E nderuar Zonja Presidente e Asamblesë
I nderuar drejtues i Seancës,
Te nderuar Shkelqesi,
Është nder për mua t’i drejtohem sot, kësaj Asambleje në emër të Republikës së Shqipërisë, në këtë përvjetor të rëndësishëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky është, njëkohësisht, një moment me domethënie të veçantë për vendin tim, ndërsa shënojmë 70-vjetorin e anëtarësimit tonë në Kombet e Bashkuara.
Falënderoj Presidenten e Asamblesë së Përgjithshme, Shkëlqesinë e Saj, Zonjën Annalena Baerbock, për përzgjedhjen e kësaj teme kuptimplotë “Better Together” dhe i uroj suksese në detyrën e nderuar të Presidentes së Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së!
Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për Sekretarin e Përgjithshëm, z. António Guterres, për udhëheqjen e tij, shërbimin ndaj Kombeve të Bashkuara dhe përkushtimin në mbrojtje të Kartës së OKB-së dhe vlerave të saj thelbësore.
Zonja dhe zotërinj,
Ky 80-vjetor i Kombeve të Bashkuara është një kujtesë e vizionit që frymëzoi krijimin e një bote ku kombet zgjedhin dialogun dhe bashkëpunimin. Është, gjithashtu, edhe një mundësi për të ripërtërirë përkushtimin tonë ndaj vlerave të mishëruara në Kartën e OKB-së për paqe, barazi dhe bashkëpunim midis kombeve. Të zgjedhim bashkepunimin mbi kundershtitë, dialogun mbi ndarjen dhe solidaritetin ndaj indiferencës.
Për Shqipërinë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë dhe vijon të jetë platforma universale e dialogut, duke i dhënë çdo kombi, të madh e të vogël, një zë në formësimin e të ardhmes sonë të përbashkët. Arritjet janë të pamohueshme: parandalimi i konflikteve, avancimi i të drejtave të njeriut dhe ofrimi i ndihmës humanitare për miliona njerëz.
Por, në kontekstin e krizave aktuale që kanë përfshirë botën, është e natyrshme që të kërkojmë më shumë nga kjo organizatë dhe më shumë nga vetja jonë.
Ky është momenti kur ne duhet të ripërtërijmë përkushtimin tonë për të siguruar që OKB-ja të vazhdojë të shërbejë si themeli i paqes, drejtësisë dhe solidaritetit jo vetëm për ne, por edhe për brezat që do të vijnë.
Shqipëria beson se sfidat botërore, nga konfliktet dhe terrorizmi te ndryshimet klimatike, inteligjenca artificiale dhe pasiguria ekonomike, janë jo vetëm të ndërlikuara, por edhe të ndërthurura, prandaj njerëzimi ka nevojë për më shumë bashkëpunim shumëpalësh.
Si anëtare e Kombeve të Bashkuara, si anëtare e NATO-s dhe si një komb krenar europian, Shqipëria qëndron e gatshme të japë kontributin e saj për forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Ne mbështesim një rend botëror ku konfliktet zgjidhen në mënyrë të qëndrueshme, ku shoqëritë forcohen nga solidariteti dhe ku paqja ndërtohet dhe konsolidohet mbi themelet e forta të besimit, bashkëpunimit dhe përparimit. Shqipëria qëndron e vendosur në mbështetje të Kartës së OKB-së dhe do të vazhdojë të kontribuojë në paqeruajtje, në përpjekje humanitare dhe në ndërtimin e një bote ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë.
Zonja Presidente,
Prej gati katër vitesh besueshmëria e organizatës sonë është vënë në provë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Shqipëria ka qëndruar në mbështetje të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe ka dënuar vazhdimisht shkeljen nga Rusia të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare. Ne dënojmë sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës dhe incidentet e provokuara së fundmi ndaj aleatëve tanë të NATO/s. Në të njëjtën kohë, vlerësojmë përpjekjet diplomatike, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, për një paqe të drejtë, të qëndrueshme dhe në respekt të plotë të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Shqipëria është po aq e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet edhe në Lindjen e Mesme. Lufta në Gaza duhet të përfundojë, të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe situata e rëndë humantiare në Gaza duhet të trajtohet me urgjencë. Ne shprehim mbështetjen tonë për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Egjiptit dhe Katarit për marrëveshjen e armëpushimit që do të çojë drejt përfundimit të përhershëm të armiqësive dhe sigurimin e një paqeje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës, e cila sjell një të ardhme më të mirë, në siguri dhe perparim për palestinezët, izraelitët dhe të gjithë popujt e rajonit.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti, te përparimi i përbashkët, jo rivaliteti. Në këtë frymë, Shqipëria eshte e gatshme té bashkëpunojë me të gjithë fqinjët për të siguruar që Ballkani Perëndimor të jetë një zonë paqeje, zhvillimi dhe mundësie, që kontribuon aktivisht për Evropën dhe për komunitetin më të gjerë ndërkombëtar.
Shteti më i ri në rajonin tonë, Republika e Kosovës, është gjithnjë e më shumë kontribuese në paqe, dialog dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor. 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka treguar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike. Me institucione të forta dhe popullsi vitale, kontributi i saj në bashkëpunimin rajonal dhe me gjere është i pamohueshëm.
Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë se Kosovës, mbeshtetja per anetaresimin e saj ne Kombet e Bashkuara dhe ne organizatat e tjera nderkombetare eshte nje akt drejtesie ndaj popullit te Kosoves, eshte nje hap qe forcon edhe me shume paqen dhe sigurine ne Ballkanin Perendimor dhe nje kontribut ne stabilitetin e Europes.
Shqiperia kerkon qe te drejtat e liritë e shqiptareve te lugines se Presheves te respektohen, qe shqiptaret atje te mos diskriminohen por te integrohen, që gjuha shqipe te perdoret, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat e tyre te mbrohen dhe promovohen.
Zonja Presidente,
Udhëtimi i vendit tim, Shqipërisë, nga izolimi, tek integrimi Euroatlantik, nga diktatura, te liria dhe të drejtat e njeriut, dëshmon se dialogu, partneriteti dhe vlerat e përbashkëta mund të transformojnë shoqëritë.
Sot Shqipëria është shumë pranë realizimit të ëndrrës së kahershme, anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Pas hapjes së negociatave të anëtarësimit po vijojmë me ritëm të lartë reformat tona, me synimin për të përfunduar procesin e negociatave në vitin 2027 dhe për të qenë anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030. Udhëtimi ynë drejt një Evrope të Bashkuar nuk është vetëm një ambicie politike, por është thellësisht i rrënjosur në vlerat që ne çmojmë: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Shqiperia ka kuptuar se prosperiteti dhe mirëqenia e qytetarëve te saj lidhet ngushtë edhe me përparimet konkrete në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Shqipëria po investon në energjinë e pastër, po forcon mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimatike, po avancon transformimin digjital dhe po punon për të siguruar që askush të mos mbetet pas. Përpjekjet tona janë përqëndruar në arsim, shëndetësi, barazi gjinore dhe fuqizimin e rinisë, sepse gjithëpërfshirja është e vetmja rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Vitin e kaluar ne u angazhuam rreth Paktit për të Ardhmen si një kornizë udhëzuese për ringjalljen e bashkëpunimit shumëpalësh. Tani duhet t’i kthejmë fjalët në vepra: të përkthejmë angazhimet në përparime konkrete për paqen dhe sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm, klimen, bashkëpunimin digjital dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Shqipëria është e gatshme të punojë me të gjitha shtetet anëtare për të siguruar që Pakti për të Ardhmen të bëhet një udhëzues drejt një bote më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më të bashkuar. Ne do te japim shembullin tonë duke e përfshirë Paktin në Rishikimin tonë Vullnetar Kombëtar.
Shkëlqesi,
Te nderuar pjesemarres,
Ndryshimet klimatike janë sfida përcaktuese e shekullit tonë dhe Shqipëria është e përkushtuar ndaj tranzicionit të energjisë së pastër dhe mbrojtjes së mjedisit. Përmbytjet, zjarret dhe thatësirat tashmë të përvitshme, na kujtojnë se duhet të forcojmë angazhimet tona globale, të mobilizojmë financimet dhe të sigurojmë që asnjë të mos mbetet pas.
Vitet e fundit kemi dëshmuar përhapjen e shpejtë të teknologjive digjitale. Përparimi teknologjik është shumë i dobishëm për sa kohë ecën paralelisht me përparimin e vetë njeriut. Ne duhet të mbetemi besnikë ndaj vlerave tona duke e vendosur teknologjinë në shërbim të njerëzimit. Sado e avancuar, problemet e kohës tonë nuk mund të zgjidhen nga inteligjenca artificiale, por nga inteligjenca dhe dhembshuria njerëzore. Epoka digjitale duhet të udhëhiqet nga bashkëpunimi ndërkombëtar, standardet etike dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Për Shqipërinë, transformimi digjital është prioritet. Ne kemi ndërmarrë reforma ambicioze për të digjitalizuar shërbimet publike, për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin. Shqipëria ka kënaqësinë të bashkëdrejtojë me Kenian procesin e rishikimit të Samitit Botëror mbi Shoqërinë e Informacionit dhe do të punojë së bashku me të gjitha shtetet anëtare për të patur një rezultat të suksesshëm.
Zonja Presidente,
Të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i çdo individi duhet të mbeten në zemër të misionit tonë. Shqipëria ka dëshmuar, përmes transformimit të saj demokratik, se shoqëritë lulëzojnë kur liritë e individit mbrohen, kur gratë dhe të rinjtë fuqizohen dhe kur diversiteti pranohet si forcë.
Jemi të nderuar të sjellim përvojën tonë dhe të shërbejmë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, ku kemi punuar pareshtur për të promovuar universalitetin e të drejtave të njeriut dhe pandashmërinë e të gjitha lirive. Gjatë mandatit tonë jemi angazhuar për mbrojtjen e grupeve vulnerabël, për avancimin e barazisë gjinore dhe për mbrojtjen e të drejtave të atyre të cilët kanë më shumë rrezik të cenohen. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin kundër diskriminimit, intolerancës dhe dhunës kudo që ndodhin.
Shqipëria është krenare për përparimin që ka bërë në avancimin e barazisë gjinore, si një detyrim moral dhe si një shtysë për zhvillimin e shoqërisë. Sot, gratë mbajnë disa nga postet më të larta në vendin tim. Shqipëria do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e grave brenda dhe jashtë vendit dhe të punojë me partnerët për ta bërë barazinë një realitet të prekshëm për të gjithë.
Asnjë komb nuk mund të projektojë një të ardhme të mirë pa vendosur rininë në qendër të strategjive kombëtare. Përmes reformave në arsim, transformimit digjital dhe punësimit, Shqipëria po punon për të zgjeruar mundësitë që të rinjtë të mësojnë të sjellin risi dhe të marrin pjesë plotësisht në shoqëri. Ne besojmë se investimi tek të rinjtë është investimi më i efektshëm për paqe, mirëqenie dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sot, kemi detyrimin që ne, si gjenerata që trashëguam 80 vjet paqe dhe përparim, të jemi të aftë t’u krijojmë kushtet fëmijëve tanë për një botë te sigurte, në paqe, me dinjitet, bashkëpunim dhe përparim.
Së bashku, me kurajo dhe largpamësi të vendosik që ky sesion të jetë momenti kur zgjodhëm unitetin, që zgjodhëm përgjegjësinë dhe zgjodhëm guximin.
Ju faleminderit!
© BalkanWeb