U emërua zv/ministre, zëdhënësja e Metës sulmon Silva Cakën: Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë! Tha se u largua për të ndjekur shkollën e Magjistraturës, por…

Emërimi i Silva Cakës, ish-deputete dhe figurë e njohur e Partisë së Lirisë, në postin e zëvendësministres së Punëve të Brendshme në qeverinë e Partisë Socialiste, ka shkaktuar një reagim të ashpër nga formacioni politik që ajo dikur përfaqësonte.

Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, Jasmira Memelli, ka reaguar publikisht përmes një deklarate të fortë, duke dënuar ashpër vendimin e Cakës për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar të Edi Ramës, të cilin ajo e cilëson si “qeveri e krimit dhe e korrupsionit”.

“Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pavlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet”, thuhet në deklaratën e Memellit.

Duke ironizuar vendimin e Cakës për të lënë politikën dhe për të ndjekur, siç kishte deklaruar, Shkollën e Magjistraturës, zëdhënësja e Partisë së Lirisë shprehet:
“Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në ‘Shkollën’ e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.”

“Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet. As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë. Këto janë zgjedhje personale që flasin më shumë se çdo fjalë”, shtoi ajo.

Në fund të deklaratës, Memelli thekson se PL mbetet e vendosur në vijimin e luftës opozitare dhe në mbrojtjen e kauzave kombëtare, në krah të opozitës së vërtetë dhe qytetarëve të ndershëm shqiptarë.

“Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, për t’i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës, që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik”, përfundon deklarata.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×