Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme në derbin e javës së gjashtë të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll, duke mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat 2:0, në stadiumin e qytetit në Suharekë. Skuadra portokallezi vazhdon të jetë ndër pretendentet kryesore për titull, ndërkohë që Drita mbetet në krizë rezultatesh në këtë fillimedicioni.
Vendasit kaluan në epërsi në minutën e 39-të me golin e Walid Hamidit, i cili përfitoi nga një tollovi në zonën e Dritës për të dërguar topin në rrjetë. Drita e barazoi përkohësisht rezultatin me Arb Manajn, por pas rishikimit në VAR, goli u anulua për shkak të faullit ndaj një mbrojtësi gjatë aksionit.
Në minutën e 86-të, kapiteni i Dritës, Besnik Krasniqi, në tentim për të larguar topin, shënoi në portën e tij, duke vulosur fitoren e Ballkanit me rezultat të pastër 2:0. Me këtë sukses, Ballkani ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe mban vendin e dytë në tabelë, ndërsa Drita mbetet në pozitën e parafundit me vetëm pesë pikë.
Fitore të rëndësishme shënoi edhe Dukagjini, i cili përmbysi rezultatin ndaj Llapit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Mysafirët nga Podujeva kaluan të parët në epërsi në minutën e 8-të me golin e Axel Gnapit, por vendasit reaguan fuqishëm. Dienit Isufi barazoi me një supergol në fundin e pjesës së parë (45+1’), ndërsa Altin Merlaku (61’) dhe Iljasa Zulfiji (88’) përmbysën plotësisht rezultatin, duke i dhënë Dukagjinit fitoren e katërt sezonale. Pas këtij rezultati, Dukagjini ngjitet në vendin e parë me 13 pikë, duke konfirmuar formën e mirë të skuadrës së drejtuar nga Ismet Munishi. Llapi, ndërkaq, vazhdon të mbetet në fund të renditjes me vetëm tri pikë dhe pa fitore të regjistruar deri tani.
Drenica mori tri pikë të vlefshme në udhëtim ndaj Gjilanit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 90+5’ nga Genc Hamiti, pas një gabimi të rëndë në mbrojtjen e vendësve. Me këtë fitore, kuqezinjtë nga Skenderaj arrijnë në kuotën e 11 pikëve dhe renditen të tretët në tabelë, ndërsa Gjilani mbetet me shtatë pikë në pozitën e pestë.
Malisheva arriti fitore me përmbysje të rezultatit para tifozëve të saj, duke e mposhtur Ferizajn, me rezultat 3:1. Ferizaj kaloi në epërsi me golin e Iljazit në minutën e 32-të, por Malisheva reagoi menjëherë me golin e barazimit nga Arlind Veliu katër minuta më vonë.
Në pjesën e dytë, vendasit e nisën furishëm dhe brenda vetëm katër minutave realizuan dy gola: Diatta në minutën e 50-të dhe Aliu në të 54-tën. Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e 7 pikëve dhe pozicionohet në mesin e tabelës. Ferizaj, ndërkohë, bie në vendin e tetë me gjashtë pikë të grumbulluara.
Java e gjashtë e Superligës përmbyllet sot me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Prishtinës së Re, e cila zhvillohet nga ora 20:15 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
© BalkanWeb