Pajtimi mes brezave nuk duhet kuptuar si fundi i një udhëtimi me zanafillë në të kaluarën por si hapja e një shtegu çlirues, përmes konflikteve të së tashmes.
Katarsis i prodhuar nga reflektimi se ngjarjet edhe mund të kishin rrjedhur ndryshe, ngadhënjimi i të poshtëruarve përmes imagjinatës.
Është kjo një prej frazave qe Lea Ypi përdor në romanin e saj më të ri, “Të poshtëruar, të mbijetosh në epokën e ekstremeve” ku duke sjellë në vëmendje historinë e gjyshes së saj, sjell historinë e Shqipërisë e shqiptare në më shumë se një shekull e gjysmë histori. Përmes këtij ajo merr në shqyrtim dinjitetin dhe se si individi dhe dinjiteti i tij, lakohen e formësohen, nga epokat e ekstremeve.
“Romani fillon me rënien e perandorisë otomane, dhe figura qendrore është gjithmonë Leman Ypi. Duket se ka dy gjëra që i bien ndesh njëra-tjetrës, poshtërimi me mbijetesën, sa është i mundur kompromisi? Si lexuese, është një libër që të sfidon tmerrësisht shumë fort. Të sfidon mendimin, dhe në fakt një libër që më rezonon në çdo moment edhe me kohët që po kalojmë””, thotë botuesja e Lea Ypit, Arlinda Dudaj.
Ndërsa merr në shqyrtim historinë e gjyshes se saj, nisur nga një fotografi e postuar dhe e komentuar në rrjetet sociale, Lea Ypi, e rindërton historinë e saj, duke përdorur, letra, shënime, kujtime dhe dosje, dosje të ish Sigurimit të Shtetit, duke vënë megjithatë në dyshim, çdo gjë që ka dosja, e krijuar për tí shërbyer partisë në pushtet dhe pushtetit pa kufi.
“Lea e shpjegon në një nga kapitujt këtë dilemë të madhe mbi dosjet dhe mendoj se ia ka dalë shumë mirë dhe përgjigjet të mos japë përgjigje matematikore, por të ngrejë pyetje”, thotë Dudaj.
Pos personazhit të gjyshes që vjen në tri sisteme politike, duke bartur brenda vetes një liri të pacënuar e duke ruajtur të paprekur shpirtin, Ypi rimerr personazhin e Sabiha Kasimatit, një tjetër gruaje që e sfidoi botën deri sa bota i dha fund asaj.
© BalkanWeb