Një rast i tentativës për trafik të drogës nga Kanadaja është goditur nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Kontinenti”.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin e Qendrës Tranzite të Postës Shqiptare, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, arrestoi në flagrancë shtetasin O. K., 22 vjeç, banues në Shkodër.
I riu u kap në një degë postare në Vorë, në momentin që po merrte një pako që përmbante 7 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me përqindje të lartë THC-je. Sipas hetimeve të para, droga dyshohet se ishte trafikuar nga Kanadaja drejt Shqipërisë përmes postës.
Hetimet e mëtejshme bënë të mundur edhe identifikimin e porositësit të pakos, shtetasit Z. M., i cili aktualisht është shpallur në kërkim. Policia ka intensifikuar punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij, ndërkohë që nuk përjashtohet përfshirja e personave të tjerë në këtë rrjet të dyshuar të trafikut të organizuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.
© BalkanWeb