Partia Demokratike me anë të një deklarate ka ngritur dyshime, lidhur me tenderin që është zhvilluar nga AKSHI për sistemin e Gjendjes Civile. Zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli në një deklaratë për mediat tha se nga viti 2022 deri në vitin 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka tenderuar plot 8.5 milionë euro për ‘përmirësimin’ dhe mirëmbajtjen e sistemit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile, ndërsa nuk dihet ende se ku kanë shkuar milionat e eurove.
Në fund të deklaratës, ajo shtroi pyetjen se ku kanë shkuar 8.5 milionë eurot e tenderit të AKSHI-t për sistemin e gjendjes civile.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Gjatë prezantimit të ministres së re të Punëve të Brendshme, Kryeministri Edi Rama theksoi se një ndër prioritetet e kësaj ministrie do të jetë zgjidhja e problematikave që lidhen me funksionimin e regjistrit të gjendjes civile. Por, për këtë situatë, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi vetë Kryeministrin.
Nga viti 2022 deri në vitin 2025 Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, në varësi të tij, ka tenderuar plot 8.5 milionë euro për ‘përmirësimin’ dhe mirëmbajtjen e sistemit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Për përmirësimin e sistemit është kontraktuar kompania Soft & Solution shpk, në pronësi të Ermal Beqirit.
Ndërkohë, për mirëmbajtjen e regjistrit është kontraktuar ndër vite kompania e huaj Xion IT Systems GmbH. Sot, edhe pse janë tenderuar miliona euro, Kryeministri pranon publikisht se sistemi i gjendjes civile vazhdon të ketë probleme serioze.
Pyetja jonë për Edi Ramën është e qartë:
Ku kanë shkuar 8.5 milionë euro të tenderuara gjatë tre viteve të fundit, nëse sistemi i gjendjes civile vijon të ketë probleme serioze?
A ekziston vullneti i organeve të drejtësisë për të hetuar këto miliona euro të shpenzuara në një prej institucioneve më problematike të vendit, apo do të vazhdojë sërish heshtja?
© BalkanWeb