Të zhdukurit në diktaturë, gërmimet e Komisionit Ndërkombëtar konfirmojnë 6 vendvarrime

ICMP, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ka përfunduar sondazhet mbi 6 vendbanime të dyshuara, ku gjenden eshtrat e të vrarëve, të burgosurve dhe të pushkatuarve në diktaturë. Në një takim të mbajtur në Tiranë nga ICMP dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, u prezantua puna e ekipit të arkeologëve dhe antropologëve, të cilët kryen sondazhe në 6 vendvarrime të dyshuara në Shkodër, Mirditë, Vlorë, Himarë dhe Kolonjë.

Ndërsa gjetjet e sondazheve të kryera, konfirmojnë prani eshtrash në këto 6 vendndodhje, raportet përfundimtare do t’u paraqiten autoriteteve në dhjetor të vitit 2025. Sandra Sostaric, përfaqësuese nga ICMP u ndal te gjetjet, duke u bazuar edhe te rilevimet dhe fotografimet nga afër të terrenit i cili në disa raste ishte i thyer dhe i vështirë për t’ u arritur.

Prej tre vitesh, megjithatë, pritet sërish një Vendim i Këshillit të Ministrave i cili do të autorizojë nisjen e gërmimeve në këto varreza. Të dhënat që ofrojnë sondazhet, parimisht duhet t’i hapin udhë asaj, por pa miratimin e VKM-së është e pamundur nisja e zhvarrimeve e analizave, proces që përfshin, Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë, Policinë e Shtetit, prokurorinë e përgjithshme, pushtetin vendor dhe të tjerë aktorë institucionalë.

Ndërsa kërkimi i eshtrave të të burgosurve politikë, të pushkatuarve në diktaturë është një hap thelbësor në përballjen e Shqipërisë me të shkuarën dhe qasjen e saj mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën për një varr, procesi është zvarritur prej vitesh, pavarësisht konventave të firmosura, zotimeve e detyrimeve të shtetit shqiptar dhe kërkesave e thirrjeve të Bashkimit Europian.

Sondazhet janë bërë në Varrezat e Rrmajit në Shkodër, 2 vendvarrimeve në fshatin Shpal në Mirditë, një vendvarrim në Selenicë të Vlorës, një në Shën Vasil në Himarë dhe një në Shelegur, në qarkun e Kolonjës. Këto janë 6 nga 120 vendvarrime të dyshuara, ndërsa procesi i sondazhit, është mbështetur nga ana logjistike nga ICMP-ja dhe Bashkimi Evropian.

Deri më tani, janë regjistruar rreth 400 aplikime nga familjarët e viktimave. Kërkimet do të përballen edhe me terrene që kanë tendencë rrëshqitjeje, zona malore, struktura të mbivendosura, probleme pronësie toke, administrimin e gjetjeve dhe analizat e And-së.

Ky është vetëm fillimi i një pune afatgjatë që synon të çojë drejt rezultateve konkrete për familjarët dhe shoqërinë.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×