“Një dialog Harvard–Oxford që zbërthen të ardhmen e aleancës transatlantike”, Bushati-Bechev: Roli i Kinës dhe ambicia e Rusisë, me lente të posaçme mbi Ballkanin Perëndimor

Një dialog Harvard–Oxford që zbërthen të ardhmen e aleancës transatlantike, rolin e Kinës dhe ambicien e Rusisë, me lente të posaçme mbi Ballkanin Perëndimor. Ditmir Bushati në Podcastin “Public Square” sjell një bisedë të thelluar me Dimitar Bechev, Drejtor i Programit Dahrendorf në Universitetin e Oxford-it dhe studiues i lartë në Carnegie Europe.

Në këtë episod, Bushati dhe Bechev analizojnë polarizimin amerikan dhe efektet e tij mbi aleancat afatgjata, riformatimin e rendit global nën peshën ekonomike dhe teknologjike të Kinës. Bechev theksoi se marrëdhënia transatlantike po kalon një fazë të tensionuar për shkak të impulsit izolacionist të politikës amerikane, duke vënë në pikëpyetje konsensusin e dikurshëm bipartizan mbi rolin global të SHBA-ve. Ai theksoi se, ndryshe nga e kaluara, sot SHBA-të përballen me një rivalitet cilësor të ri: Kina, e cila jo vetëm që ka fuqi prodhuese, por edhe kapacitete teknologjike që e bëjnë një sfidë unike në raport me Uashingtonin.

Në lidhje me Rusinë, Bechev theksoi se objektivi i saj strategjik mbetet supremacia në hapësirën ish-sovjetike dhe rikuperimi i statusit të një fuqie të madhe globale. Megjithatë, ndërhyrjet e saj, përfshirë pushtimin e Ukrainës, kanë sjellë më shumë kosto sesa fitime, duke prodhuar kundërpërgjigje nga fqinjët dhe nga Perëndimi. Në Ballkan, Rusia vijon të ushtrojë ndikim më shumë përmes transaksioneve politike dhe përfshirjes ad hoc, duke shfrytëzuar hapësirat që ofrohen nga aktorë vendas me agjenda të ngushta.

Bushati dhe Bechev u fokusuan tek Ballkani Perëndimor për të cilin, Bechev shprehu optimizëm mbi integrimin ekonomik në BE-në, por paralajmëroi për pengesa serioze në konsolidimin e demokracisë. Sipas tij, europianizimi ekonomik nuk garanton domosdoshmërisht progres politik, sidomos në një kohë kur edhe brenda BE-së demokracia po përballet me sfida të brendshme. Ai paralajmëroi se projekti europian në rajon do të mbetet i brishtë nëse nuk shoqërohet me transformime institucionale të qëndrueshme.

Dialogu i zhvilluar në “Public Square” nxori në pah se bota po hyn në një epokë të re rivalitetesh gjeopolitike, ku roli i SHBA-ve, dinamika e Rusisë dhe ngritja e Kinës do të formësojnë arkitekturën globale të sigurisë. Për Europën dhe Ballkanin Perëndimor, sfida kryesore mbetet forcimi i kohezionit të brendshëm dhe aftësia për të balancuar marrëdhëniet me aktorë të tjerë globalë, duke ruajtur unitetin transatlantik dhe duke avancuar procesin e integrimit.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×