Në vazhdim të takimeve me aleatët për përzgjedhjen e kandidiatit për kryetar bashkie të Tiranës, treshja e mandatuar nga Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Kellici, Ilir Alihmehmetil, takoi këtë të diel Sekretarin e Përgjithshëm të PL-së Tedi Blushi.
Pas takimit Noka njoftoi se dita e shpalljes së kandidatit do të jetë e shpejtë.
“Ne jemi opozitë dhe forcë demokratike ndaj ndjekim hapat dhe procedurat, konsultohemi dhe më pas vendosim.
E gjitha kjo është çështje ditësh dhe shumë shpejt do të keni emrin e kandidatit të opozitës, për të arritur në fund me kandidatin final dhe qëllimin që i duhet Tiranës. Partitë parlamentare që përjashtohen është vetëm e majta radikale e Arlind Qorrit”, tha Noka.
Ndërsa Blushi tha se kandidatura do të jetë gjithëpërfshirëse.
“Kandidatura e opozitës do jetë gjithëpërfshirëse dhe jo kandidaturë e emëruar sikundër ka ndodhur me kandidaten e Partisë Socialiste.
Përballë kandidates së COVID ne po zgjedhim vaksinën e duhur, e cila do shërojë një herë e përgjithmonë kryeqytetin”, tha Blushi.
Të shtunën, Noka, Këlliçi dhe Alimehmeti, takuan Fatmir Mediun dhe Agron Dukën.
BalkanWeb