Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar me ngulm që të zhvillohet një mocion me debat në Kuvend këtë të enjte, lidhur me programin e qeverisë, e veçanërisht në fushën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo kërkesë është shqyrtuar gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, por është refuzuar nga mazhoranca.
Në fjalën e tij, Bardhi theksoi se kërkesa e Grupi Parlamentar të PD-së për zhvillimin e mocionit me debat është plotësisht e ligjshme dhe e përputhshme me rregulloren e Kuvendit. “Nuk është caktuar seanca për këtë të enjte, dhe kërkojmë që ky mocion të zhvillohet pikërisht këtë ditë,” tha ai, duke shtuar se ky debat është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar aspiratën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Bardhi e akuzoi mazhorancën se po shmang debatin dhe transparencën lidhur me politikën e integrimit evropian. “Mazhoranca i shmanget debatit dhe transparencës për qeverinë, duke refuzuar kërkesën për mocion,” theksoi ai, duke kërkuar që Konferenca e Kryetarëve të vendosë menjëherë për zhvillimin e këtij mocioni.
Në një moment të fjalës së tij, Bardhi iu drejtua mazhorancës duke u shprehur: “Keni qenë ju që keni bertitur në Kuvend se opozita nuk do debat. Sot jeni ju që po e faktoni se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qartë për atë që e keni shpallur si prioritet, pra anëtarësimin në BE.” Ai e cilësoi këtë refuzim të mocionit si një shenjë të frikës nga përballja me opozitën dhe mungesës së një bilanci konkret për realizimin e premtimeve.
Bardhi e mbylli fjalën e tij me një kritikë ndaj bilancit të qeverisë, duke thënë: “Bilanci i vetëm i qeverisë është ku do të udhëtojnë për takime, kujt do t’i japin leje ndërtimi, cili është koncesioni i radhës apo cilat para do të vidhen.” Ai theksoi se këto janë prioritetet e qeverisë dhe jo procesi i integrimit evropian, për të cilin mazhoranca nuk ka një plan të qartë.
BalkanWeb