Në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e News24, deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, komentoi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) mbi klimën e biznesit në Shqipëri.
Gjoni e përshkroi raportin si një skaner të përgjithshëm të realitetit shqiptar, duke theksuar se shqetësimet e ngritura përputhen me atë që shqiptarët përjetojnë çdo ditë në vend. Ai theksoi se raporti ngre një pikëpyetje të madhe për qeverinë dhe për 12 vitet e qeverisjes socialiste.
Në fjalën e tij, Gjoni evidentoi disa problematika kyçe që lidhen me ekonominë shqiptare të cilat janë evidentuar në raport. Ai tha se korrupsioni i përhapur mbetet një nga shqetësimet më të mëdha, edhe pas reformave në drejtësi që ende nuk kanë dhënë efektet e pritura. Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave janë të pranishëm dhe ndikojnë negativisht në tregun ekonomik. Shtrembërimi i konkurrencës, mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit masiv dhe produktiviteti i ulët, pasi vetëm disa sektorë të ekonomisë janë në rritje, janë elemente të tjera që rëndojnë situatën. Për më tepër, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Shqipërisë është vetëm rreth një e katërta e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian, gjë që tregon nevojën për reforma të thella.
Një problem i veçantë sipas raportit dhe Gjonit është ligji për investimet strategjike, i cili tregon se mbi 60% e këtyre investimeve janë me investitorë shqiptarë dhe persona të lidhur me qeverinë Rama. Kjo situatë shoqërohet me mungesë të investimeve të huaja, ndërsa korrupsioni dhe konkurrence e pandershme vazhdojnë të jenë të përhapura. Gjithashtu, ekonomia informale dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit krijojnë një klimë të pasigurt për bizneset.
Në përfundim, deputeti Gjin Gjoni u shpreh se Shqipëria ka nevojë urgjente për reforma të thella dhe një ndryshim rrënjësor të modelit të qeverisjes, për të krijuar një klimë më të favorshme për biznesin dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për qytetarët.
BalkanWeb