“Korrupsioni dhe lidhjet me krimin janë shqetësim madhor”, Gjin Gjoni: Shqipëria ka marrë statusin kandidat për në BE për shkak të situatës gjeopolitike

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni ka komentuar rapotin e DASH për klimën e biznesit, si edhe situatën politike në Shqipëri gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24. Ai theksoi se kur raporti i DASH pohon se korrupsioni është i përhapur në sistemin gjyqësor, politik dhe në sektorë të tjerë ky është një sinjal shumë serioz që nuk duhet injoruar.

Gjoni nënvizoi se kontratat me Partneritet Publik-Privat (PPP) janë gjithashtu objekt kritike të raportit, duke theksuar se shumë prej tyre janë fituar nga njerëz të lidhur ngushtë me qeverinë dhe me krimin e organizuar. “Sot shteti dhe krimi janë bërë një,” tha ai, duke paralajmëruar se kjo situatë është shqetësim edhe i autoriteteve amerikane.

Duke analizuar situatën më gjerë, Gjoni u shpreh se Shqipëria nuk e meriton aktualisht statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian dhe se hapja e kapitujve të negociatave është bërë kryesisht për shkak të situatës gjeopolitike në rajon dhe luftës në Ukrainë, dhe jo për shkak të përmbushjes së kritereve të nevojshme. Ai kujtoi edhe përvojat problematike të Bullgarisë dhe Rumaniës, që, pavarësisht anëtarësimit në BE, janë ende në monitorim për shkak të problemeve të brendshme.

Një shqetësim tjetër i rëndësishëm për Gjonin mbetet emigrimi masiv i të rinjve dhe fuqisë punëtore, i cili sipas tij është pasojë e destabilitetit ekonomik dhe mungesës së perspektivës në Shqipëri. Ai po ashtu theksoi se raportet amerikane nxjerrin në pah lidhjet e krimit të organizuar me proceset elektorale, duke përmendur shitblerjen masive të votave dhe përfshirjen e administratës zgjedhore, duke e konsideruar këtë një shkrirje të shtetit me partinë në pushtet.

Sipas Gjonit, bandat kriminale janë të fuqishme dhe të investuara në mënyrë intensive, një element që është evident në raportin paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit. Ai theksoi se lufta kundër këtyre fenomeneve është një prej shqetësimeve më të mëdha të SHBA-së dhe se përmirësimi i situatës kërkon reforma të thella dhe angazhim serioz nga ana e qeverisë.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×