Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të qeverisë për indeksimin e pensioneve. Përmes një postimi në Facebook, Teliti ironizoi qeverinë për rritjen simbolike prej vetëm 2.5% të pensioneve duke e quajtur këtë një tallje me shtresën e të moshuarve.
Sipas Telitit, kjo rritje përkthehet në një shtesë prej vetëm 16 lekësh në ditë për pensionistët, një shumë që ai e krahason me koston e një kafeje në shtëpi. Ai shtoi se menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, kanë marrë fund edhe “bonuset magjike” që qeveria shpërndau më herët, duke lënë të kuptohet se këto përfitime kishin karakter elektoral.
“Qeveria harron pensionistët sapo mbyllet kutia e votimit,” shkruan Teliti, duke akuzuar mazhorancën për mungesë të kujdesit të vazhdueshëm dhe serioz ndaj shtresave në nevojë. Ai vuri në dukje se sipas qeverisë, nuk ka më nevojë për rritje të konsiderueshme të pensioneve sepse “jetesa qenka bërë më e mirë”, një deklaratë që ai e cilëson si të shkëputur nga realiteti.
BalkanWeb