Vjolanda Peca, Armand Kullau | Vetting
– Rasti i Emiliano Lule, drejtorit të Qendrës burimore “Ramazan Kabashi” e tregon qartazi që një njeri e mban akoma statusin drejtues pavarësisht veprimeve joligjore që bën. Që një institucion të funksionojë normalisht duhet të ndjekë disa hapa institucionalë për të ruajtur transparencën dhe punonjësit që i cojnë punët përpara duhet të jenë të specializuar dhe profesionistë për atë ç’ka bëjnë. Në Qendrën Burimore “Ramazan Kabashi” përgjatë vitit 2024 janë punësuar 51 persona, nën statusin e drejtorit, nëndrejtorit, mësues për arsim special, mësues ndihmës, roje, e të tjerë. Kjo shifër, e kalon edhe vetë numrin e nxënësve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit në udhëzimin nr.14 të datës 10 korrik 2023, është shprehur për numrin e nxënësve për klasë dhe ngarkesën mësimore të punonjësve arsimorë në institucionet e arsimit parauniversitar. Në këtë udhëzim, Ministria e Arsimit ka argumentuar se në shkollat speciale emërohet një drejtor dhe një nëndrejtor, kur numri i nxënësve është deri në 130 nxënës. Pavarësisht se sipas shifrave zyrtare ka 34 nxënës, në institutin e nxënësve që nuk shikojnë, në kundërshtim me ligjin është emëruar edhe një nëndrejtoreshë, zonja Shqiponja Zajmi, nëndrejtore në detyrë.
“Mua zotëria më largoi nga puna në mënyrë të padrejtë. E vetmja arsye pse nuk më largoi nga puna është sepse nuk iu binda mikes së tij të besuar, nëndrejtoreshës në thonjëza në detyrë Shqiponja Zajmi. Sot në Institutin e Nxënësve që Nuk Shikojnë janë 12 konviktorë. Dhe Emiliano Lule nuk ka asnjë tagër ligjor që të vendosë nëndrejtoreshë kë ti dojë qejfi.” -shprehet e zhgënjyer zonja Marku. Në po të njëjtën telefonatë, Emiliano Lule ka pranuar që Shqiponja Zajmi është nëndrejtoreshë në detyrë pavarësisht se instituti nuk e mbush kriterin e numrit të nxënësve.
Zonja M: Emiliano, mundet t’i ketë ditur të gjitha Shqiponja?
Drejtori Emiliano Lule: S’e ka përgjegjësi me shkrim. Është zëvendësdrejtoreshë, a e di ti apo jo?
Zonja M: Çfarë është mo?
Drejtori Emiliano Lule: Shqiponja është zëvendësdrejtoreshë me detyrë si Rexhina.
Zonja M: Është e martuar pa letra me një fjalë?
Drejtori Emiliano Lule: Pak a shumë.”- dëgjohet në dialog.
Shqiponja Zajmi nëndrejtore në detyrë gjithashtu është edhe pjesë e komisionit të prokurorimit me vlerë të vogël së bashku me Znj. Rexhina Tosku, znj. Dhurata Mullisi. Sipas projekt të raportit të siguruar nga “Vetting”, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon se nga ky komision ka patur disa shkelje procedurale.
Auditimi tregoi se disa herë, daljet e ushqimeve nga magazina nuk përputheshin me menutë ditore dhe javore të miratuara. Kjo tregon mungesë kontrolli dhe mbikqyrjeje nga nëpunësit përgjegjës dhe mund të çojë në humbje të materialeve, mungesë transparence dhe mundëson hapësira më të mëdha për për abuzime ose vjedhje.
Gjithashtu cenohet siguria ushqimore, por kjo është e pritshme sepse njëra prej kompanive që kanë fituar tendera në Institutin e “Nxënësve që Nuk Shikojnë” janë “Nelsa” shpk. Kjo kompani ishte në qendër të vëmendjes publike para disa muajve sepse 70 fëmijë në një kopsht shtetëror në Gramsh, u helmuan nga ushqimet e infektuara që pretendohet se i ka sjellë “Nelsa” sh.p.k.
Në lidhje me problemet me tenderat, për “Vetting” Drejtori Lule kundërshtoi gjetjet nga auditi.
Gazetari Armand Kullau: Sipas informacioneve që kemi nga auditimi i procedurave të viteve 2022 dhe 2024, është konstatuar se nga grupet e ngritura nga drejtuesi nuk janë hartuar përllogaritjet e fondit limit për mallrat, shërbimet, veprimet dhe mosveprimet, në kundërshtim me ligjin. Cili është komenti juaj?
Emiliano Lule: Ky informacion zyrtar nuk është i saktë, sepse të gjitha fondet dhe çdo fond publik që vjen në këtë institucion është i hartuar sipas ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Të gjitha procedurat janë të audituara dhe nuk ka asnjë gabim nga auditimi.
Gazetari Armand Kullau: Për tre vitet 2022, 2023 dhe 2024, të gjitha procesverbalet e mbajtura nga grupet e punës që ju keni ngritur nuk janë protokolluar sipas parashikimeve ligjore të normave tekniko-profesionale, neni 18 dhe neni 19. Cili është komenti juaj?
Emiliano Lule: Jam në dijeni të këtij ligji dhe, duke qenë në dijeni, të gjithë procesverbalet janë të protokolluar sipas ligjit. Sipas ligjit nr. nr. 48, datë 23.07.2018 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar: “Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor ka të paktën, kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar.
Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor është kryer pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në Shkollën e Drejtorëve, për drejtimin e institucionit arsimor”.
Mësuesit janë kualifikuar në tri kategori, përkatësisht: Mësues i kualifikuar; Mësues specialist; Mësues mjeshtër&. Sipas ish-punonjësve të këtij institucioni, Emiliano Lule nuk i ka kryer këto kualifikime.
“Emiliano të më përgjigjet sot: Sa orë mësimi jep? Ligjërisht sa orë duhet të japë? Drejtori duhet të japë mësim për lëndën në të cilën është specializuar”, tha për “Vetting” denoncuesja.
Nga ana tjetër, për shkak të rehatllëkut që një karrige drejtori të jep, mesa duket Drejtori Lule nuk e ka kryer detyrimin ligjor të orëve të mësimdhënies. Udhëzimi i qartë i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është që në shkollat speciale, drejtori i shkollës me 81-300 nxënës duhet të jap mësim 6 orë në javë.
“Nuk i ka dhënë kurrë 6 orë, nuk ka shkuar asjëherë të klasat dhe shkolla që është aktualisht. Jo, asnjëherë se kam parë. Emiliano Lule sot nuk kontrollon as cilësinë e mësimit as orarin e mësimit, as çfarë mësimi bëhet, as nuk korrigjon as nuk shikon asgjë”, dëshmoi znj.Marku.
Në disa video që kanë mbërritur në redaksinë e “Vetting” duken qartazi disa punonjëse, të cilat po kryejnë punë të rënda, siç është lëvizja e mobiljeve apo restaurimi i mureve. Këta punonjës, bazuar në dëshmitë e disa burimeve, detyrohen të bëjnë punë që nuk u takojnë.
“Videot që pashë tani, që kanë punuar këtë verë, e sigurtë që kanë punuar këtë verë sepse Emiliano Lule nuk i fsheh dot punëtorët, nuk i fsheh dot punimet, nuk e fsheh dot keqtrajtimin, diskriminimin që bën aty. Emiliano Lule na ka detyruar të bëjmë dhe rojen. Katër roje ka institucioni dhe unë si kujdestare nuk kisha pse t’ a bëja rojen. Na ka detyruar të bëjmë gjithë verën rojen”, u shpreh ish-punonjësja Marku pasi pa videot e siguruara nga “Vetting”.
Por Drejtori Emiliano Lule pohoi për “Vetting” se vetëm 3 djem bëjnë punë vullnetare, ndërkohë në video duken punonjëse gra.
Gazetari Armand Kullau: Sipas informacioneve që kemi, disa nga personat në institucion kanë kryer punë që nuk kanë lidhje me kontratën e punës. Çfarë komenti keni?
Emiliano Lule: Çfarë pune kanë bërë, për shembull?
Gazetari Armand Kullau: Çështje që lidhen me infrastrukturën brenda ndërtesës.
Emiliano Lule: Po, është informacion i vërtetë. Ka dy-tre djem që kanë shprehur dëshirën për të lyer me bojë, sepse e kanë pasion. Sidomos njëri prej tyre, që është në sektorin e IT-së, herë pas here i pëlqen të lyejë me bojë.
Sipas avokatit Sejrani, po të shohim raportin e Komisionerit të Shërbimit Civil zbulohet se 30% e të punësuarve në administratë janë të punësuar në mënyrë të paligjshme, që do të thotë se të dhënat tregojnë qartazi se emërimet bëhen në mënyrë jo të rregullt.
“Më pas këto punësimet që vijnë nëpërmjet miqësisë apo nëpërmjet rrjetit të të njohurve, kemi parë që kanë qenë të punësuar në aministratë dhe të afërm të politikanëve, shohim që presioni nga drejtori nuk u bëhet dot punonjësve, por presioni i drejtorit u bëhet punonjësve që janë pa mbrojtje dhe bëjnë punën reale”, u shpreh avokati Sejrani.
BalkanWeb