Rezenbrik Serjani, Sekretar Funksional për Marrëdhëniet me Publikun në PD Vlorë, njoftoi se Kryesia e degës po zhvillon një proces të gjerë konsultimi për përzgjedhjen e kandidatit që do të përfaqësojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar Bashkie në Vlorë, më 9 Nëntor 2025.
Serjani theksoi se procesi përfshin të gjitha forumet e PD Vlorë, përfshirë Kryesinë e Forumit Rinor, Lidhjen Demokratike të Gruas dhe strukturat rajonale.
Ai siguroi qytetarët se kandidati i propozuar do të jetë një qytetar vlonjat me integritet të lartë, profesionalizëm dhe përkushtim për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri, dhe se nuk do të jetë një “marionetë e oligarkëve” që firmos projektet e korrupsionit të qeverisë aktuale.
Procesi i konsultimeve pritet të përfundojë brenda datës 9 Tetor, duke i hapur rrugë publikimit të listës zyrtare të kandidatëve dhe më pas miratimit përfundimtar nga Kryesia Qendrore e PD-së.
Deklarata
Dega e Partisë Demokratike Vlorë
Datë: 4 Tetor 2025
Më datë 3 Tetor 2025, pranë Degës së Partisë Demokratike Vlorë, nën drejtimin e deputetit Bujar Leskaj, u zhvillua mbledhja e radhës e kryesisë së degës, me fokus çështjet organizative në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar Bashkie në Bashkinë Vlorë, të cilat do të mbahen më 9 Nëntor 2025.
Pika kryesore e mbledhjes kishte të bënte me diskutimin dhe propozimin e emrave potencialë për kandidatin e Partisë Demokratike për Kryetar Bashkie. Kryesia propozoi disa kandidatë të mundshëm dhe vendosi nisjen e një procesi të gjerë konsultimi me të gjitha forumet e PD Vlorë, Kryesinë e Forumit Rinor, Lidhjes Demokrate te Gruas, si dhe me aktivin në nivel rajonesh dhe grupseksionesh.
Ky proces konsultimi është në fazën përmbyllëse dhe pritet të finalizohet së shpejti, duke i hapur rrugë publikimit të listës zyrtare të emrave të propozuar nga strukturat. Më pas, lista do t’i paraqitet Kryesisë së Partisë Demokratike në qendër, për miratimin përfundimtar të kandidatit zyrtar që do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e 9 Nëntorit.
Ky proces synon të përfundojë brenda datës 9 Tetor, për të vijuar më pas me organizimin e fushatës dhe takimet me qytetarët vlonjatë.
Gjithashtu, ditën e sotme është mbledhur Kryesia e PDSh-së, ku priten të miratohen modalitetet e mbarëvajtjes së të gjithë procesit.
Partia Demokratike Vlorë garanton çdo qytetar se kandidati që do të propozohet do të jetë një qytetar vlonjat me integritet të lartë, profesionalizëm dhe i përkushtuar për të shërbyer me ndershmëri. Ai nuk do të jetë një marionetë e oligarkëve dhe nuk do të shërbejë për të firmosur “monumentet” e radhës të korrupsionit të sektit Rama në Vlorë.
Partia Demokratike mbetet e vendosur për t’i dhënë Vlorës një drejtim të ri, të ndershëm dhe në shërbim të qytetarëve.
BalkanWeb