Gazetarja Sonila Meço, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi situatën e Erion Veliajt pas shkarkimit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke folur për mundësinë e kthimit të tij në “të penduar të drejtësisë”.
Sipas Meços, ajo që po ndodh mes Veliajt dhe kryeministrit Rama duket si një divorc i kontrolluar politik dhe juridik, ku të dy palët ndjekin rrugë të ndryshme, pa sulme të hapura ndaj njëri-tjetrit.
“Rama mori vendimin dhe ndoqi rrugën politike, ndërsa Veliaj ka zgjedhur rrugën kushtetuese dhe akuzon sistemin e drejtësisë,” tha gazetarja. “Ka një ndarje mes tyre, por e kontrolluar. Nuk besoj se ekziston një marrëveshje, por as një luftë e hapur që rrezikon përfundimisht njërën palë.”
Megjithatë, Meço nënvizon se në këtë situatë, rreziku më i madh duket të jetë për Ramën, pasi Veliaj ndodhet në paraburgim dhe mund të ketë interes të flasë.
“Nëse Veliaj vendos të flasë, kjo mund të krijojë një skizëm të madhe brenda Partisë Socialiste, një gjë që nuk është parë më parë,” shtoi ajo. “Ai di shumë dhe mund të zbulojë fakte të rëndësishme, duke ndihmuar drejtësinë dhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë interes që ‘narkoshteti’ të vazhdojë të funksionojë pranë kufijve të Evropës.”
BalkanWeb