Gazetarja Sonila Meço, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, komentoi momentin viral kur kryeministri Edi Rama bëri një shaka për lapsusin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë më herët.
Gazetarja u shpreh se nuk beson se ky moment ishte një improvizim spontan, por një gjë e planifikuar:
“Rama ka hequr dorë prej kohësh nga improvizimi. Kjo nuk është një batutë e rastësishme, por një veprim i menduar,” u shpreh Meço, duke shtuar disa hipoteza për arsyet e këtij veprimi.
Sipas saj, kryeministri aktualisht ka një marrëdhënie të vështirë me Shtetet e Bashkuara, duke mos kryer vizita në SHBA dhe duke pasur në fokus një dosje si ajo e McGonigal, si dhe një problem me politikën e Trump për luftën ndaj kartelëve të drogës.
“Në këtë kontekst, Rama ka përdorur këtë batutë për të krijuar një alibi eventuale: në rast të ndonjë goditjeje apo hetimi, ai mund të thotë se ishte thjesht një shaka,” shpjegoi Meço. Për këtë arsye, Rama e zgjodhi Macronin si bashkëbisedues për batutën, duke besuar se Bashkimi Europian do të japë mbështetje nëse do të përballet me presione.
Gazetarja gjithashtu përmendi se një ish-këshilltar i Trump, i dënuar më parë, ka rikthyer vëmendjen te fotografia e Ramës me McGonigal, duke paralajmëruar se kjo mund të “hapë kutinë e krimeve”.
BalkanWeb