Ervin Salianji ka ndarë pamje nga takimi i mbajtur ditën e djeshme në djeshme në Korccë, me ish të përndjekurve politikë në një aktivitet përkujtimor për Revoltën e Spaçit.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shkruan se Revolta e Spaçit është një nga aktet më të guximshme të rezistencës ndaj diktaturës, dëshmi e pathyeshmërisë së
shpirtit për liri dhe dinjitet njerëzor.
“Është detyrimi ynë të mos lejojmë që kjo sakrificë të shkojë në harresë, por ta mbajmë gjallë si kujtesë dhe si udhërrëfyes për betejën për liri, drejtësi dhe demokraci të vërtetë”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Pata nderin të jem mes ish të përndjekurve politikë në një aktivitet përkujtimor për Revoltën e Spaçit dhe heronjtë e kryengritjes së atij burgu famëkeq.
Për herë të parë në Korçë u shfaq dokumentari “Spaç 1973 – Martirët e Lirisë”, i realizuar nga Besim Ndregjoni, që solli revoltën antikomuniste të burgut të Spaçit dhe kujtimin e martirëve të lirisë. Ky film është një akt rebelimi kulturor kundër harresës dhe një dëshmi e gjallë për një nga plagët më të mëdha të Shqipërisë.
Revolta e Spaçit është një nga aktet më të guximshme të rezistencës ndaj diktaturës, dëshmi e pathyeshmërisë së shpirtit për liri dhe dinjitet njerëzor. Ata burra të rinj, me duar të lidhura, por me zemra të çliruara, ngritën zërin kundër shtypjes duke paguar me jetë dhe vuajtje të pafundme.
Është detyrimi ynë të mos lejojmë që kjo sakrificë të shkojë në harresë, por ta mbajmë gjallë si kujtesë dhe si udhërrëfyes për betejën për liri, drejtësi dhe demokraci të vërtetë.
Mirënjohje përjetë për Dervish Bejkon, Hajri Pashajn, Skënder Dajën dhe Pal Zefin – martirët e lirisë së Spaçit.
Një falënderim i veçantë për Besim Ndregjonin për idenë dhe realizimin e këtij dokumentari që na kujton se e shkuara nuk duhet harruar, por përkujtuar për të mos u përsëritur. Privilegj i veçantë të dëgjonim dëshmitë e dy të mbijetuarve Vaskë Orgocka dhe Nevruz Golka.
BalkanWeb