Mblidhet sot Këshilli i Legjislacionit në lidhje me kërkesën e PD-së, për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi. Këshilli do të diskutojë mbi pretendimet e opozitës, e cila theksoi se ai ka shpërdoruar detyrën duke mos respektuar procedurat e Kuvendit.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë zyrtare për shkarkimin e Niko Peleshi, duke e akuzuar për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Në kërkesën e adresuar Këshillit për Legjislacionin, demokratët pretendojnë se Peleshi, që prej zgjedhjes më 12 shtator 2025, ka drejtuar seancat plenare në kundërshtim me normat kushtetuese, duke mohuar të drejtat e opozitës dhe duke treguar “njëanshmëri të hapur politike”.
Sipas PD-së, në seancën e 16 shtatorit, Peleshi ka thirrur mbledhje në kundërshtim me afatet e përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregullore, duke lejuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, pa respektuar kohën e nevojshme dhe pa i dhënë fjalën deputetëve të opozitës.
Gjithashtu, opozita e akuzon Peleshin se në seancën e 18 shtatorit nuk lejoi Kryeministrin të paraqiste programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave sipas rregullores, si dhe u mohoi deputetëve të drejtën e pyetjeve dhe debatit parlamentar.
Po ashtu, demokratët kërkojnë nga Këshilli për Legjislacionin që të nisë menjëherë procedurat për shkarkimin e Peleshit, duke theksuar se ai ka “përdhosur parlamentarizmin dhe minuar funksionimin demokratik të Kuvendit”.
BalkanWeb