Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pas një atentati me armë brenda ambienteve të institucionit.
Peleshi e cilëson vrasjen si një akt të rëndë dhe krejtësisht të papranueshëm në një shtet që funksionon mbi bazën e ligjit.
“Vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, në ambientet e gjykatës është një ngjarje tragjike dhe krejtësisht e papranueshme në një shtet të së drejtës,” deklaron ai.
Kreu i Kuvendit thekson se ky akt kriminal nuk është thjesht një sulm ndaj një individi, por një krim ndaj gjithë sistemit të drejtësisë dhe autoritetit të shtetit, duke kërkuar ndëshkimin më të rreptë sipas ligjit për autorin.
“Ky krim që i mori jetën në krye të detyrës gjyqtarit Astrit Kalaja është edhe një krim ndaj institucioneve të drejtësisë dhe autoritetit të shtetit, ndaj meriton dënimin më të rreptë sipas ligjit,” shprehet Peleshi.
Ai ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të ndjerë, kolegët dhe gjithë trupën gjyqësore, duke e konsideruar këtë humbje si një plagë të rëndë për sistemin e drejtësisë në vend.
BalkanWeb