Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka dhënë detaje mbi përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen më 9 nëntor në 6 bashki, duke i cilësuar ato si zgjedhjet më masive të pjesshme që janë organizuar ndonjëherë në vend.
I ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, Celibashi tha se zgjedhjet përfshijnë bashki me peshë të lartë elektorale si Tirana, Vlora dhe Berati, duke bërë që numri i zgjedhësve të kalojë 1 milion qytetarë.
“Kemi bashki si Tirana, Vlora dhe Berati. Janë mbi 1 milionë zgjedhës. Këto janë zgjedhjet më masive të pjesshme që kemi zhvilluar ndonjëherë,” deklaroi Celibashi.
Sa i përket kostos së organizimit, kreu i KQZ bëri me dije se procesi pritet të kushtojë rreth 3.6 milionë euro, një shumë që është e siguruar falë kursimeve të realizuara nga buxheti i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. “Këtë shumë e kemi në KQZ dhe e disponojmë për shkak të kursimeve nga shpenzimet buxhetore për zgjedhjet e 11 majit,” sqaroi ai.
BalkanWeb