Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti teksa ka dënuar ngjarjen e rëndë ku gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, u vra në sallën e gjyqit, theksoi se sot shteti drejtohet nga bandat.
E ftuar në programin e drekës, në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Hoti tha se kjo ngjarje tregon gjendjen se ku është shteti shqiptar, ku sipas saj askush nuk merr përgjegjësi.
“Është një ngjarje e rëndë që të vritet një gjykatës në sallën e gjyqit. Është gjendje alarmante. Imagjino që ndodh një gjyqtari. Është i vetmi shtet në botë, që drejtorin e policisë e vendos banda dhe krimi. Del ministrja e Brendshme dhe thotë; policia nuk ka detyrë që të ruaj gjykatat. Ata dalin me deklarata zyrtare. Po i çojnë shqiptarët të bëjnë vetëgjyqësi.”, tha ajo. Mes të tjerash Hoti pohoi se kryeministri Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet, por i grabiti ato përmes bandave.
“Edi Rama nuk i ka fituar këto zgjedhje, pasi i grabiti. Krimi i organizuar vendosi se kush do jetë deputet, drejtor, apo ministër. Krimi është noter i qeverisë.”, shtoi Hoti.
BalkanWeb