Partia Socialiste në Vlorë ka mbledhur Asamblenë ku u prezantua edhe kandidatja për kryetare të Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini.
Në prani të strukturave të partisë, Mersini u paraqit zyrtarisht si zgjedhja e PS për të udhëhequr qytetin bregdetar në këtë fazë të re zhvillimi. Pas takimit me anëtarët dhe drejtuesit lokalë, drejtuesi politik i qarkut Vlorë, Blendi Çuçi, së bashku me kandidaten Mersini, dhanë deklarata për mediat.
Gjatë prononcimit të saj, Brunilda Mersini e cilësoi si një privilegj të veçantë faktin që është kandidatja e parë grua për këtë post në Vlorë. Ajo theksoi vendosmërinë për të punuar pa ndalur për të sjellë një vizion të ri dhe për ta bërë Vlorën më të mirë për qytetarët e saj.
Mersini vuri në dukje se mbështetja masive e qytetarëve gjatë fushatës së saj si kandidate, si dhe besimi i strukturave të Partisë Socialiste, i kanë dhënë asaj një forcë të jashtëzakonshme për të ecur përpara me energji dhe përgjegjësi të plotë.
Deputetja dhe tashmë kandidatja për bashkinë, falënderoi qytetarët për pritjen dhe entuziazmin që kanë treguar ndaj saj, duke e cilësuar këtë si një shtysë të rëndësishme për të dëshmuar se besimi i dhënë nuk do të shkojë dëm. Ajo shprehu angazhimin për të ndërtuar një bashki më efikase, më transparente dhe më pranë qytetarëve.
BalkanWeb