Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i policisë, Shemsi Prençi, ka bërë deklarata të forta në emisionin “Oponencë” në News24, ku ka denoncuar politizimin e thellë të Policisë së Shtetit dhe ka paralajmëruar pasoja të rënda për shkak të ligjeve të pazgjidhura për pronat.
Prençi, i cili deklaroi se është i vetmi drejtor policie që ka dhënë dorëheqje në kundërshtim me ministrin e Brendshëm për të mos lejuar keqpërdorimin e policisë, hodhi akuza direkte ndaj politikës për manipulimin e strukturave të rendit.
“Policia është e politikës. Jam i vetmi drejtor policie që kam dhënë dorëheqje duke kundërshtuar ministrin e Brendshëm për mos keqpërdorimin e policisë së shtetit. Askush tjetër s’e ka bërë këtë,” u shpreh Prençi.
Sipas tij, politika shqiptare ka një “kënaqësi të përditshme” në përdorimin e policisë si instrument për qëllime personale apo partiake, duke cenuar rëndë misionin e saj kushtetues për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Prençi ndau përvojën e tij 25-vjeçare në terren, nga Shkodra në Berat e Fier, ku ka qenë vazhdimisht i angazhuar në zgjidhjen e konflikteve për pronat, një problematikë që ai e cilëson si “gjellë e keqe e gatuar nga politika”.
“Pjesën më të madhe të viteve jam marrë me konfliktet për pronat, me gjellën e keqe të gatuar nga politika që quhet ligji 7501, i dyfishuar me një ligj edhe më të keq për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas meje, këto do të gjenerojnë edhe për 300 vjet krim,” paralajmëroi eksperti i sigurisë.
Ai theksoi se këto ligje, që kanë prodhuar pasiguri të vazhdueshme në terren, janë votuar nga deputetë që sot janë ende pjesë e parlamentit shqiptar.
“Edhe sot janë në parlament deputetë që kanë votuar këto ligje,” tha Prençi.
Në vijim, ai kujtoi se si, në rolin e oficerit dhe shefit të komisariatit, ai dhe kolegët e tij janë detyruar të pozicionojnë qindra efektivë në kufijtë mes fshatrave për të shmangur përplasje fizike mes banorëve për shkak të pronave të kontestuara, një realitet që, sipas tij, vijon edhe sot.
BalkanWeb