
Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, e rrethuar nga miq, kolegë gazetarë, botues dhe figura të njohura të jetës publike e politike, Mira Kazhani promovoi të premten librin e saj më të ri “Një ditë tjetër”.
Ky libër sjell një rrëfim të ndjerë dhe personal për periudhën më të vështirë të jetës së autores, betejën e saj me një sëmundje të rëndë, tumorin.
Nëpërmjet faqeve të këtij botimi, Kazhani ndan ndjesitë, frikën, shpresën dhe forcën që e shoqëruan në këtë rrugëtim sfidues.
Zgjedhja për ta promovuar librin pikërisht në muajin tetor, muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit nuk ishte rastësore.
Në fjalën e saj, Mira bëri apel për më shumë kujdes ndaj shëndetit, veçanërisht tek gratë dhe vajzat, duke theksuar rëndësinë e kontrollit dhe parandalimit.
“Ky libër nuk është vetëm për ata që kanë kaluar atë që kam kaluar unë. Është për këdo që përballet me sfidat e jetës, me dhimbjen, me frikën, por edhe me forcën për ta rifilluar nga e para”, u shpreh autorja.
Në promovim mori pjesë dhe botuesi i saj Enver Robelli si dhe figura të njohur publike e politike në kryeqytet.
Autorja Mira Kazhani falënderoi familjen, miqtë, mjekët që e trajtuan dhe botuesit që i dhanë jetë këtij libri.
Me shumë emocion, ajo ndau mirënjohjen për çdo mbështetje dhe fjalë inkurajuese që ka marrë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në fund, takimi u mbyll me një gotë verë, përqafime dhe fotografi.
BalkanWeb
and then