Në mbledhjen e sotme, komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shpalli sërish vakancën për pozicionin e Avokatit të Popullit.
Përmes kësaj vendimarrje, komisioni u dha mundësinë të interesuarve të depozitojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kualifikuar si kandidatë, 20 ditë nga vendimi.
Opozita nuk ishte dakord me procedurën, pasi sipas saj, vakanca është shpallur një herë, gjatë legjislaturës së kaluar dhe nuk është më e nevojshme.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se ky argument i opozitës nuk qëndron pasi një pjesë e deputetëve të legjislaturës së kaluar, që kanë firmosur në mbështetje të kandidaturave, sot nuk janë më pjesë e Kuvendit, dhe si rrjedhojë procedura e mëparshme e shpalljes së vakancës nuk është më e vlefshme.
Vakanca për detyrën e Avokatit të Popullit u shpall për së dyti vetëm me 8 votat e deputetëve socialistë në Komision, ndërsa 5 deputetët e opozitës bojkotuan votimin.
Gjithashtu, me 13 vota u shpall vakanca edhe për detyrën e Komisionit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Avokates së Popullit, Erinda Balanca i ka mbaruar mandati në maj 2022, por ajo vazhdoi punën duke pritur pasardhësin më shumë se tre vite.
Në seancën e parafundit të legjislaturës që lamë pas, Partia Demokratike kërkoi që në rend të ditës të futej urgjent votimi i Avokatit të ri të Popullit duke kërkuar që të votohej emri i propozuar nga PD, Besim Ndregjoni.
BalkanWeb