“Përballemi me presion politik dhe nga krimi”, Dumani liston shqetësimet e SPAK para deputetëve: Institucionet publike nuk referojnë rastet e korrupsionit

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka nisur raportimin e tij vjetor në Komisionin e Ligjeve, ku ka bërë një pasqyrë të hollësishme të punës së institucionit për vitin 2024. Në fjalën e tij, Dumani ka listuar një sërë problematikash me të cilat SPAK është përballur gjatë vitit, duke kërkuar vëmendje institucionale dhe ndryshime ligjore për të garantuar efikasitetin dhe pavarësinë e mëtejshme të strukturës.

Dumani ka ngritur shqetësimin për presionin e jashtëm që vjen nga faktorë politikë, mediatikë dhe krimi i organizuar. Sipas tij, këto presione rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin institucional të SPAK dhe të prokurorëve të tij. Ai kërkoi një reagim të koordinuar për mbrojtjen e institucionit dhe garantimin e pavarësisë së tij në kryerjen e hetimeve.

Një tjetër problem i theksuar në raport ishte mungesa e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit, çka krijon pasiguri për vijimësinë e hetimeve të rëndësishme. Dumani gjithashtu nënvizoi mungesën e këshilltarëve ligjorë për prokurorët, faktor që ndikon negativisht në cilësinë e hetimeve dhe përfaqësimin në gjykata.

Numri i ulët i referimeve nga institucionet publike për çështje që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar u cilësua po ashtu si një shqetësim serioz.

SPAK po përballet me vonesa në përfundimin e sistemit elektronik të administrimit të çështjeve, i cili pritet të finalizohet gjatë vitit 2025. Po ashtu, sfidë mbetet ngritja e një njësie të analizës që do të mbështesë hetimet komplekse dhe raportimet ndërkombëtare për institucionin. Dumani theksoi se pas gjashtë vitesh punë intensive, SPAK ka nevojë urgjente për këtë njësi për të përforcuar analizën strategjike dhe për të ndihmuar hetimet në çështje të ndërlikuara.

Një tjetër problematikë që u ngrit gjatë raportimit ishte mungesa e një kuadri të qartë ligjor për administrimin e pasurive të sekuestruara në formën e kriptomonedhave. Dumani tha se aktualisht nuk ekziston në Shqipëri një portofol digjital për ruajtjen e këtyre pasurive dhe as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara nuk ka kapacitetin për t’i ruajtur ato në mënyrë të sigurt.

Në lidhje me ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, SPAK has pengesa ligjore, pasi kompetencat për njohjen dhe zbatimin e këtyre vendimeve i përkasin Prokurorisë së Përgjithshme. Dumani kërkoi ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë çështje dhe për të lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar penal.

Një zhvillim pozitiv i vitit 2025, sipas Dumanit, ka qenë përmirësimi i ndjeshëm në bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe për çështjet e ekstradimit. Ndërkohë që në vitin 2024 situata ishte problematike dhe ekstradimi i personave të kërkuar nga SPAK ishte thuajse i pamundur, gjatë këtij viti janë ekstraduar nga Dubai 8 shtetas shqiptarë. “As vetë nuk e kishim imagjinuar këtë situatë pozitive me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe,” u shpreh Dumani.

Dumani vuri në dukje se statusi aktual i ndërlidhësve të sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar është i papërshtatshëm, pasi ata trajtohen si nëpunës civilë, ndërkohë që detyrat e tyre përfshijnë kryerjen e veprimeve procedurale. Ai kërkoi rishikimin e statusit të tyre për të përmirësuar efikasitetin në bashkëpunimin ndërkombëtar penal.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×