Protesta e sotme mbarëshqiptare që u organizua në sheshin “Skënderbej” në mbështetje të udhëheqësve të UÇK-së bëri bashkë përfaqësues të opozitës së Kosovës, PDK e LDK, por nuk arriti të bashkojë në një qëllim Vetëvendosjen dhe Tiranën zyrtare.
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kryetari i porsazgjedhur i komunës së Prishtinës Përparim Rama i LDK-së, deputetja e PDK Ganimete Musliu, Ramiz Lladrovci, kryetar i porsazgjedhur i komunës së Drenasit, ishin të pranishëm në tubimin madhështor, ndërsa nuk munguan dhe politikanë të majtë e të djathtë, këta të fundit “thyen” dhe urdhrin e bojkotit sic ishte deputeti Bujar Leskaj.
Ndërsa deputetët socialistë u shprehën se do të jenë të pranishëm në protestën për UÇK jo si politikanë, por si qytetarë.
Nga ana e mazhorancës, mes liderve kosovarë u shfaq dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kandidatja e PS për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme vendore, Ogerta Manastirliu, ish-deputeti Denis Deliu dhe kryetari i bashkisë së Lezhë Pjerin Ndreu.
Në seancën e së enjtes, Kuvendi u përfshi në debate e akuza mes deputetëve të PD dhe PS për kërkesën e PD për mocion me debat mbi njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se Shqipëria duhet të kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb.
Berisha akuzoi Ramën se protesta e së premtes në Tiranës për UÇK ka nuanca kundër qeverisë së Kosovës, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka deklaruar se Rama nuk do të marrë pjesë në protestën për UÇK pasi nuk dëshiron ta politizojë.
BalkanWeb