Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Tranziti”, i zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat, është vënë në pranga një 30-vjeçar nga Shkodra që udhëtonte i armatosur me armë zjarri.
Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit të një automjeti taksi në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, pranë rrethrrotullimit të Shëngjinit, policia ndaloi një pasagjer të dyshuar për mbajtje armësh pa leje.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. U., 30 vjeç, banues në Shkodër, iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë, së bashku me dy krehra dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, 30-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në kundërshtim me nenet e Kodit Penal në fuqi.
Policia bën të ditur se arma e sekuestruar do të dërgohet për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme hetimore.
BalkanWeb