BIRN: Minatorët e Spaçit akuzojnë kompaninë “TETE Albania” se po hakmerret me shkarkime nga puna

Në ditën e dhjetë të protestës, minatorët e Spaçit thanë se kompania turke jo vetëm që nuk pranon bisedime, por ka njoftuar largimin e 16 minatorëve nga puna, duke e konsideruar këtë një hakmarrje antiligjore.

Elvis Hila | BIRN

Në ditën e dhjetë të protestës për kushte më të mira pune, minatorët e Spaçit akuzojnë kompaninë “TETE Albania” se po hakmerret me shkarkime kolektive. Rreth 70 punonjës të nëntokës në Spaç kanë bojkotuar punën dhe kërkojnë njohjen e sindikatës së krijuar prej tyre. Kompania nga ana e saj nuk ka pranuar që të ulet në bisedime, duke pretenduar se sindikata nuk plotëson kriteret ligjore.

“Jo vetem që nuk kanë pranuar të ulen në bisedime, por kompania turke ka nisur edhe të hakmerret ndaj nesh. Ka sjellë zarfat për largim nga puna për 16 minatorë, por s’kemi pranuar t’i marrim dhe pastaj na kanë kominikuar vendimin përmes telefonit,” tha minatori Dritan Lleshi.

“Pretendimi është se kemi bojkotuar punën pa paralajmërim. Po veprimet e tyre janë antiligjore dhe ne nuk e njohim këtë vendim, sepse jemi në protestë,” shtoi Lleshi.

Në të njëjtën linjë është edhe minatori Kastriot Prenga, i cili paralajmëroi se reagimi i tyre do të përshkallëzohet deri në greve urie.

“Po na bëjnë shantazh dhe presion me largime nga puna, por ne nuk do të tërhiqemi. Po kërkojmë një të drejtë që na takon me ligj dhe Kodin e Punës. Ata vijojnë të mos pranojnë të ulen në bisedime, por ne do të përshkallëzojme reagimin tonë,” tha Prenga.

Në mbështetje të minatorëve, deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë turke, por pa arritur një marrëveshje.

Gjoni tha se kërkesat e minatorëve për njohjen e sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive janë të drejta ligjore, pasi këto mekanizma u mundësojnë punonjësve mbrojtje dhe të drejta të plota në vendin e punës.

“I kërkova kompanisë që të nisë menjëherë dialogun me përfaqësuesit e minatorëve, sepse zgjidhja e konfliktit është në interesin e të dyja palëve,” tha Gjoni, ndërsa kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ndërmjetësojnë për të garantuar një proces të drejtë dhe të qëndrueshëm.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×