EPP Women miraton rezolutën e propozuar nga Alban Vokshi: Dhuna ndaj grave në politikë, kërcënim për demokracinë

Forumi i Grave të Partisë Popullore Europiane miratoi një rezolutë historike kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, me nismën e Albana Vokshit, zëvendëspresidente e grupimit më të madh politik të grave të qendrës së djathtë EPP Women.

Rezoluta e EPP Women thekson se dhuna ndaj grave nuk është thjesht “çështje gjinore”, por një sulm sistematik ndaj demokracisë. Ajo shërben si paralajmërim që Bashkimi Europian duhet të jetë më kërkues ndaj vendeve ku zgjedhjet shoqërohen me dhunë, kërcënime dhe fyerje mizogjiniste të orkestruara nga pushteti dhe krimi i organizuar.

Dokumenti nënvizon se “Dhuna ndaj grave në politikë nuk është vetëm një tragjedi individuale, por një sulm sistematik ndaj demokracisë. Ajo i largon nga jeta publike gratë me integritet dhe vlera demokratike, duke lënë hapësirë për rrjete oligarkike dhe kriminale që nuk përfaqësojnë të drejtat e grave.”

PD njofton se në dokument janë përfshirë raste konkrete nga Shqipëria, si kërcënimet ndaj Albana Vokshit dhe familjes së saj gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, fyerjet seksiste ndaj kandidateve opozitare, dhe sulmet e drejtpërdrejta verbale nga Kryeministri Rama ndaj grave në politikë si dhe rastet e sulmeve ndaj grave ne drejtwsi, që shkarkohen pasi nuk i binden urdhërave të qeverisë.

Duke marrë shkas nga rasti i Shqipërisë, por duke renditur edhe edhe raste të dhunës ndaj gazetareve gra në Gjeorgji apo rasteve të dhunës fizike dhe online në disa vende të Europës, rezoluta e EPP Women vë në dukje se “Këto praktika krijojnë një efekt frikësues: gratë hezitojnë të shprehin mendime ose të marrin pjesë në jetën publike nga frika e sulmeve dhe ndëshkimeve. Një dhunë e tillë minon bazat e demokracisë dhe stabilitetin politik.”- thuhet në rezolutë.

“Kur gra si Albana Vokshi kërcënohen nga krimi i organizuar në Shqipëri apo kur gra gazetare në Gjeorgji akuzohen, kjo nuk është çështje grash. Është rrëmbim i demokracisë duke përdorur gratë si peng. Ne nuk i fituam të drejtat tona për t’i humbur ato në heshtje.” – deklaroi: Sekretarja e Përgjithshme e EPP, Dolors Montserrat.

EPP Women i kërkoi Partisë Popullore Europiane dhe institucioneve të Bashkimit Europian të mbështesin rezolutën dhe të riafirmojnë se dhuna ndaj grave në politikë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

Në një koment të saj, Albana Vokshi u shpreh se “Thirrja drejtuar institucioneve europiane është e qartë: të mos tolerojnë dhunën politike si mjet për të dobësuar opozitën dhe demokracinë. Ky dokument nuk është vetëm një dënim i hapur i praktikave të dhunshme dhe intimidimit politik, por një apel që Bashkimi Europian të jetë më kërkues ndaj standardeve demokratike në vendet kandidate si Shqipëria. Nëse dhuna ndaj grave në politikë tolerohet, demokracia mbetet vetëm në letër. Mesazhi është i fortë: demokracia nuk mund të ekzistojë kur kërcënimi dhe sulmi ndaj grave synojnë të heshtin opozitën.”- u shpreh zonja Vokshi.

Forumi i grave të qendrës së djathtë europiane EPP Women, i cili u zhvillua në Larnaka, Qipro, e konsideron mbështetjen e rezolutës si një test për vlerat mbi të cilat ngrihet vetë Bashkimi Europian.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×