Mirel Josa “psikolog”, ja si kërkon të kthejë Vllazninë

Trajneri Mirel Josa ka marrë drejtimin e Vllaznisë në një situatë të pazakontë, teksa mbeten të luhen vetëm dy javë kampionat dhe më pas finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. Vetë Josa ka pranuar se i është dukur e çuditshme të merrte skuadrën në këto momente. Nga ana tjetër, ka theksuar se i intereson që të rrisë sa më shumë entuziazmin në ekip.

Mirel Josa2

“Problemi është që këtyre lojtarëve duhet t’u marrim maksimumin në këto ndeshje që kanë mbetur, sepse jam i bindur që kanë akoma për të dhënë”, ka thënë ndër të tjera Josa. Dhe menjëherë ai ka nisur punën, duke bërë më së shumti rolin e psikologut në skuadër. “Panorama Sport” mëson se në dy seancat e deritanishme që trajneri ka bërë me skuadrën, ka biseduar “kokë më kokë” me të gjithë lojtarët.

Ai ka pyetur secilin prej tyre për problematikën që ka pasur dhe ankesat që mund të kenë për gjëra teknike apo pozicionin ku luajnë. Më shumë se puna në aspektin tekniko-taktik, Josa është fokusuar tek ajo që kërkon të marrë nga gjithsecili lojtar në këtë periudhë. Dje trajneri e ka nisur me një terapi ndryshe për gjithë skuadrën.

Që në ditët e para ai kërkoi që ekipi të jetë i gjithi bashkë në momentin e ngrënies së mëngjesit. Pas konsumimit të këtij vakti, ekipi ka shkuar për të kryer seancën e radhës stërvitore. Kjo metodë e Josës për të qenë të gjithë lojtarët të bashkuar kur ushqehen është një taktikë për të rritur edhe harmoninë në grup. Gjasat janë që vetëm sot trajneri të nisë nga puna për aspektin taktik, për më tepër që jemi në një periudhë ku futbollistët kanë marrë ngarkesa të mëdha.

NDESHJA

Debutimi në pankinë për Josën do të jetë të shtunën në orën 17:00 ndaj Egnatias në Shkodër. Për sa u përket lojtarëve që mund të hedhë në fushë nga minuta e parë, trajneri nuk pritet të bëjë shumë ndryshime, edhe pse këtë takim ka një mungesë të rëndësishme si kapiteni Erdenis Gurishta.

Mbrojtësi i djathtë u ndëshkua me karton të kuq ndaj Tiranës dhe është i detyruar të mungojë këtë javë. Gjithsesi, formacioni mendohet të ketë lëvizje të vogla dhe baza do të jetë ajo që ka përdorur edhe trajneri Elvis Plori, duke filluar me portierin Zogoviç, mbrojtësit Adili, Bulatoviç dhe Hakaj, mesfushorët Krymi, Jonuzi, Da Silva dhe Kruja, si dhe sulmuesit Latifi, Hoxhaj e Aralica.

Vllaznia duhet të fitojë patjetër dy ndeshjet e mbetura për të qenë në garë për vendin e katërt, pasi në të kundërt shpresa e vetme e kuqebluve për Europën do të jetë fitimi i finales së Kupës.

ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×