Dhoma e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për arrestimin e avokatit Ulian Barjami, një ngjarje që nuk mund të konsiderohet thjesht një veprim ligjor, por një sulmi i hapur ndaj pavarësisë së avokatëve dhe drejtësisë në Shqipëri.
Ky arrestim ngre dyshime të forta për përdorimin e mekanizmave shtetërorë për të intimiduar profesionin e avokatit dhe për të dërguar një mesazh të qartë ndaj çdo avokati që guxon të mbrojë klientët e tij me rigorozitet dhe pavarësi. Avokati nuk është një qytetar i zakonshëm; ai është garant i drejtësisë dhe mbrojtjes ligjore të qytetarëve, dhe sulmet ndaj tij janë sulme ndaj vetë shtetit të së drejtës.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon me urgjencë:
1. Hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm, larg çdo ndikimi politik apo administrativ.
2. Respektim të plotë të të drejtave të avokatit, siç garantohen nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare.
3. Sigurimin që asnjë presion, kërcënim apo manipulim nuk do të cenojë pavarësinë e profesionit të avokatit dhe të drejtën e qytetarëve për mbrojtje ligjore.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë bën thirrje të fuqishme: çdo tentativë për të frikësuar avokatët është sulm direkt ndaj drejtësisë dhe demokracisë. Ne, do të përdorim të gjitha mjetet ligjore dhe do të denoncojmë çdo tentativë të shtetit për të cenuar pavarësinë e profesionit.
BalkanWeb