Gjoba absurde prej 4 milionë eurosh, e vendosur nga Tatimet, 3 vite pas shembjes së “Prestige Resort”, ka urdhëruesit politikë, por ka edhe zbatuesit e verbër të urdhrave.
Siç ndodh rëndom në të tilla raste, pushteti gjen “kamikazët” e vet, të gatshëm të keqpërdoren dhe të firmosin shkelje ligjore, në kufijtë e shpërdorimit të detyrës.
I tillë është rasti i Olsi Kucës, inspektorit të Tatimeve VIP, i cili zgjodhi të bëhet “kurbani” i eprorëve.
Në kundërshtim të ligjeve dhe të parimeve të kontrollit administrativ, Olsi Kuca mbajti gjallë një proces kërcënues prej më shumë se 2 vitesh ndaj “Prestige Resort”.
Kontrolli tatimor mbi resortin prestigjioz që u hodh në erë nga shteti në dhjetor 2022, ngjan absurd të paktën në dy plane.
Plani i parë: Kontrolli tatimor filloi 1 vit pasi “Prestige Resort” u hodh në erë dhe gjoba 4 milionë euro ishte si një penalitet që i vendoset dikujt “post mortum”.
Plani i dytë: Kontrolli tatimor zgjati plot 2 vite, duke dekonspiruar në fakt, qëllimin e vërtetë të tij. Një kontroll tatimor që zgjat mbi 700 ditë, nuk është një kontroll i mirëfilltë, por një mjet presioni.
Olsi Kuca dhe urdhëruesit e tij vendosën ta zgjasnin kaq shumë këtë proces, pikërisht për ta përdorur si një mjet kërcënimi dhe shantazhi ndaj “Hysenbelliu Group”.
Me sa duket, Tatimet VIP kanë menduar ta mbanin këtë kontroll, si shpata e Demokleut mbi kokën e një biznesi të ndershëm dhe të konsoliduar ndër dekada.
Kur panë që nuk mund ta nënshtronin, pas 2 vitesh, ata vendosën ta lëshonin këtë shpatë, pasi shteti ndërpreu sinjalin dhe nxorri nga godinat redaksitë e televizionit News24, -it dhe gazetës Panorama, me shpresën se do të mbyllin përfundimisht gojën e mediave të “Hysenbelliu Group”.
Ndoshta i joshur me premtime nga eprorët, apo me iluzionet e mbrojtjes politike për shkak të lidhjeve me pushtetin nga të cilat synon të bëjë karrierë, por edhe me opozitën, për shkak të kunatës së tij Denisa Vata, e cila është deputete e PD, Olsi Kuca ka menduar se ia vlen të bëjë një “harakiri” apo vetëvrasje profesionale.
Por, forca e ligjit nuk kursen askënd dhe siç ka treguar historia, kur vjen ora e drejtësisë, para saj nuk të mbron dot as shefi në qeveri, as farefisi në opozitë.
Olsi Kuca dhe urdhëruesit e tij do të provojnë ligjërisht mbi vete, çdo pasojë të shkeljeve dhe abuzimeve të tyre me detyrën.
Dhe kur të vijë ajo ditë, ndoshta do ta kuptojnë se të jesh nëpunës i shtetit, do të thotë të jesh shërbëtor publik dhe jo “kamikaz” politik.
BalkanWeb