Pritet të mbahet sot seanca paraprake për çështjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë.
Në seancën do të shqyrtohen akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet pas hekurave, si dhe do të vendoset nëse dosja ndaj ish-kryebashkiakut do të kalojë apo jo për gjykim.
Kujtojmë se më 2 tetori Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
BalkanWeb