Avokati Alban Duro ishte i ftuar sot në “Koha për t’u zgjuar” në News24, ku foli mes të tjerash edhe në lidhje me problemet në sistemin e drejtësisë, duke u ndalur në atë që ndodhi me avokatin Ulian Barjami në Gjykatën e Elbasanit.
Duro sqaron se bojkoti ndaj seancave vijon, ndërsa u shpreh se ishte i zhgënjyer për realitetin p[asi priste një ndryshim të frymës me reformën në drejtësi dhe rekrutimet e reja me magjistratë dhe prokurorë.
“Këtë javë jemi ende në bojkot për çështjet penale, me përjashtim të masave të sigurimit personal. Kjo është në respekt të kolegjit dhe si protestë ndaj sjelljes së sistemit gjyqësor, pra prokuroria e gjykata, sjellje që personalisht ndjehem shumë i fyer dhe i zhgënjyer, pasi isha optimist që ndryshimet që do të vinin nga reforma në drejtësi do sillte një frymë pozitive.
Kur këto veprime bëhen nga d magjistratë të rinj, ndjehem i zhgënjyer dhe e shoh të ardhmen me shumë pikëpyetje. Mendoj që ky sistem është në gradën më të ulët.
Në vend të përmirësohej për shkak të rekrutimeve të reja dhe ngritja e institucioneve të reja, ndodhin këto”, tha ai.
Duro u shpreh se ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet një kontroll i përvitshëm, ndërsa shtoi se duhet edhe një kontroll sa i përket përdorimit të lëndëve narkotike.