
Drejtuesi i ri i departamentit “Brain Gain” në Partinë Demokratike, Ted Kopliku, ka komentuar në studion e News24 vendimin e SPAK-ut për të marrë nën hetim zv/kryeministren Belinda Balluku.
Kopliku tha se hetimi ndaj numrit dy të qeverisë është një zhvillim i rëndësishëm, por sipas tij, tregon vetëm “majen e ajsbergut” të problemeve që ekzistojnë në drejtësinë shqiptare.
“SPAK bën lajme. Kemi numrin dy të qeverisë tani, më parë kreun e Bashkisë së Tiranës. Këta sulmohen nga drejtësia, por nuk duhet të harrojmë se Balluku hetohet për majën e ajsbergut për supervizimin e tunelit të Llogarasë, as për tunelin në vetvete, por për supervizimin e tij,” u shpreh Kopliku.
Ai theksoi se publikut po i jepet përshtypja se po bëhet drejtësi, ndërkohë që sipas tij, dëmet reale për ekonominë nuk po hetohen në mënyrë të plotë.
“Jepet ideja sikur këtu po bëhet drejtësi, kur ish-zv/kryeministri akuzonte Ballukun se dëmi i saj në ekonomi përllogaritet sa buxheti i shtetit,” shtoi ai.
Kopliku vuri në dukje se ndonëse është “thyer një tabu” përsa i përket ndjeshmërisë së drejtësisë ndaj figurave të larta politike, hetimet vijojnë të jenë të pjesshme dhe të orientuara.
“Është thyer një tabu se politikanët nuk janë të paprekshëm, por ka mungesa në drejtësi. Nuk ka hetime për krimin zgjedhor, ndërkohë që OSBE flet për drejtësi të instrumentalizuar që ka goditur opozitën,” theksoi ai.
and then