“Shqiptarët presin biletën e largimit, Rama bën 4 udhëtime me charter në 10 ditë”, Këlliçi: Shëtit në forumet e organizuar nga Sorosi për…

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “luks të pakontrollueshëm” dhe “shkëputje totale nga realiteti i shqiptarëve”.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi ka denoncuar katër udhëtimet me charter që, sipas tij, Rama ka kryer brenda dhjetë ditësh, duke e cilësuar këtë si një shembull të qartë të arrogancës qeveritare në një vend që përballet me varfëri të thellë.

“Fluturimet luksoze të kryeministrit të vendit më të varfër të Europës! Në një kohë kur bijtë dhe bijat e shqiptarëve çdo ditë presin biletën e largimit nga Shqipëria për shkak të varfërisë e pasigurisë në vend, Edi Rama gjen mundësinë të bëjë katër udhëtime me charter brenda dhjetë ditësh,” shkruan Këlliçi.

Deputeti demokrat shton se ky “luks i pakontrollueshëm” është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave dhe mentalitetit të Ramës, që sipas tij e kanë distancuar kryeministrin nga qytetarët e thjeshtë.

“Shqiptarët prej tij shihen si qytetarë të dorës së dytë, për t’u sunduar dhe mbajtur në distancë,” thekson ai.

Këlliçi akuzon Ramën se legjitimitetin politik e merr nga “padronët e tij jashtë vendit”, duke përmendur lidhjet e tij me organizatat ndërkombëtare që, sipas tij, ndikojnë në vendimmarrjen politike të qeverisë shqiptare.

“Legjitimitetin kryeministri e merr nga padronët e tij jashtë vendit, aty ku gatuhen politikat që shqiptarët i pësojnë dhe në vendimmarrjen për të cilat nuk marrin kurrë pjesë,” shkruan Këlliçi, duke shtuar se Rama “shëtit në forumet e organizuara nga Sorosi për të raportuar për zbatimin e axhendave të kësaj organizate në Shqipëri dhe rajon.”

Në përfundim, deputeti demokrat bën thirrje për një “shkëputje nga ndikimet e paligjshme në qeverisje” dhe për marrjen në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetarët.

“Është koha që shqiptarët të presin fijet e ndikimeve të paligjshme në qeverisjen e vendit të tyre dhe të marrin në dorë fatet e veta,” përmbyll Këlliçi.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×