
Një 22-vjeçar në Vlorë është proceduar penalisht, gjobitur dhe i është sekuestruar automjeti, pasi me manovra të rrezikshme ka rrezikuar sigurinë publike.
Policia thotë se i riu nuk iu bind urdhrave të efektivëve dhe xhiroi gomat e automjetit në një zonë të frekuentuar nga qytetarët.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Procedohet penalisht, gjobitet dhe i sekuestrohet automjeti një drejtuesi mjeti që rrezikoi sigurinë publike me manovra të rrezikshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në ngarkim të shtetasit D. Xh., 22 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në vendin e quajtur “Kapelja”, ka xhiruar gomat e automjetit tip “BMW”, në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar.
Njëkohësisht, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Vlorë i vendosën këtij shtetasi masë administrative në vlerën 5200 lekë, për shkelje të neneve 139/8, 153/5, 139/3, 190/1-6 dhe 120/1-6 të Kodit Rrugor, si dhe masën plotësuese të tërheqjes së lejes së drejtimit.
Në përfundim të të gjitha veprimeve procedurale dhe administrative, u bë edhe sekuestrimi i automjetit.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia e Vlorës apelon për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.
and then