“Pasuria para martesës nuk ndahet në rast divorci”, avokati Aga: Ja çfarë ndodh nëse bëni një kontratë paramartesore

Avokati Erald Aga, i ftuar në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur sot për rëndësinë dhe funksionin e kontratave paramartesore në Shqipëri. Sipas tij, këto kontrata u japin mundësi çifteve që para se të martohen të përcaktojnë qartë marrëveshjet e tyre pasurore dhe familjare.

“Kontrata paramartesore bën të mundur që burri dhe gruaja, para martese, të lidhin një marrëveshje dhe ta depozitojnë te gjendja civile. Kjo bëhet te noteri, ku mund të shkojnë vetë ose përmes një përfaqësuesi me prokurë, si p.sh. një avokat. Në momentin e celebrimit, kontrata depozitohet zyrtarisht,” shpjegoi Aga.

Ai theksoi se pasuria që secili prej partnerëve ka para martesës nuk ndahet, pasi ajo mbetet pronë personale e secilit. Kontrata paramartesore, sipas tij, lidhet vetëm me pasurinë që krijohet pas celebrimit. “Mund të përcaktohen ndarje të ndryshme të pasurisë apo edhe çështje që lidhen me kujdestarinë e fëmijëve në rast divorci. Palët marrin përsipër çfarë do të ndodhë më pas,” shtoi avokati.

Aga pranoi se në shoqëri ekziston ende një paragjykim për kontratat paramartesore, pasi shpesh perceptohen si mungesë besimi apo si tregues se martesa bëhet për interesa materiale. “Në fakt, nuk ndahet gjithçka në martesë. Ndahet vetëm pasuria që fillon nga momenti i celebrimit,” përfundoi ai, duke theksuar se kontrata paramartesore është një mënyrë ligjore për të shmangur konfliktet e mundshme në të ardhmen.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×