
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me refuzimin nga mazhoranca socialiste të kërkesës së opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare një për “farsën zgjedhore” të 11 majit dhe një tjetër për “aferën McGonigal”.
Bardhi e ka cilësuar vendimin si një akt antikushtetues, që, sipas tij, “asgjëson një nga funksionet kryesore të Kuvendit atë të kontrollit parlamentar”.
“Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore është një akt antikushtetues që asgjeson jo vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por vetë parlamentarizmin,” u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se Komisionet Hetimore janë instrumente të transparencës dhe jo të bllokimit politik, duke theksuar se opozita kërkon vetëm standarde të barabarta me ato të vendeve të Bashkimit Europian.
“Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane,” tha Bardhi.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së theksoi gjithashtu se roli i Parlamentit duhet të jetë garantimi i kontrollit dhe llogaridhënies, jo propagandës qeveritare.
“Parlamenti nuk duhet të jetë vendi i propagandës së qeverisë, por vendi ku opozita kontrollon, kërkon llogari dhe nxjerr përgjegjësi. Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesuan zgjedhjet e barabarta dhe të lira, duan të asgjesojnë edhe Parlamentin,” përfundoi Bardhi
and then