
Banka e Shqipërisë organizoi sot workshop-in e 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore.
Punimet e workshop-it u hapën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili theksoi se aktiviteti i këtij viti zhvillohet në një moment të veçantë për Bankën e Shqipërisë, në 100-vjetorin e krijimit të saj.
Më tej, ai vuri në dukje se ekonomia globale dhe rrjedhimisht ajo shqiptare po përballen me një sërë pasigurish të reja që burojnë nga tensionet gjeopolitike, ndryshimet strukturore në tregjet e punës dhe tranzicioni i gjelbër e digjital, ndërkohë që inovacioni teknologjik dhe inteligjenca artificiale po transformojnë mënyrën e funksionimit të tregjeve.
Në një panoramë të ekonomisë shqiptare, Guvernatori vuri në dukje se ajo po shfaq ecuri pozitive, me rritje të qëndrueshme, inflacion të kontrolluar dhe bilance të shëndosha bankare, duke shërbyer si një shtyllë kyçe e stabilitetit makroekonomik. Kjo arritje është rezultat edhe i politikave të ndjekura nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet politikës monetare akomoduese, mbështetjen e kreditimit, reagimit të kujdesshëm monetar, mbikëqyrjen bankare dhe ruajtjen e stabilitetit monetar e financiar. Megjithatë, vendi përballet ende me sfida që lidhen me ndryshimet demografike, tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital, si dhe presionet e vazhdueshme të mjedisit ndërkombëtar, të cilat kërkojnë adresim përmes politikave të kujdesshme e të mirëkoordinuara.
Në mbyllje, Guvernatori theksoi rolin e pazëvendësueshëm të forumeve shkencore e kërkimore në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e ideve dhe përmirësimin e bazës analitike për vendimmarrje më efektive në politikëbërje. Ai shprehu bindjen se diskutimet dhe punimet e këtij aktiviteti do të ndihmojnë në formulimin e politikave të qëndrueshme që mbështesin rritjen ekonomike afatgjatë dhe stabilitetin financiar të vendit dhe rajonit.
Workshopi zhvillohet në datat 6-7 nëntor 2025 nga Banka e Shqipërisë dhe mbahet në në ambientet e saj në Tiranë. Ky aktivitet, tashmë i kthyer në një traditë, ofron një forum të rëndësishëm për prezantimin dhe diskutimin e punimeve kërkimore në fushën e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe zhvillimeve makroekonomike në rajon.
Ai bën bashkë kërkues, ekspertë dhe profesionistë nga banka qendrore, universitete dhe institucione ndërkombëtare, për të ndarë njohuri dhe përvoja mbi sfidat aktuale të ekonomisë globale dhe rajonale.
Ky edicion i 19-të, mirëpret leksionet e 3 ekonomistëve të shquar nga Banka Qendrore Evropiane, Bordi i Guvernatorëve të Rezervës Federale dhe Universiteti Johns Hopkins.
Gjatë dy ditëve të punimeve do të prezantohen 33 materiale studimore, 7 prej të cilave janë përgatitur nga kërkues të Bankës së Shqipërisë, ndërsa pjesa tjerë nga banka qendrore dhe institucione si: Banka për Rregullime Ndërkombëtare, Banka Botërore, bankat qendrore të Austrisë, Irlandës, Zvicrës, Italisë, Sllovakisë, Polonisë, Republikës Çeke, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Turqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, si dhe universitete dhe institucione kërkimore.
and then