
Në agimin e 9 gushtit 2025, katër media të mëdha shqiptare, News24, , Panorama dhe Radio Rash, u goditën në mënyrën më të dhimbshme që mund të përjetohet në një shoqëri demokratike, u heshtën me urdhër politik.
Gazetarët dhe punonjësit u nxorrën me forcë nga redaksitë e tyre, nën pretekstin absurd, se ambientet do të shërbenin për prodhimin e armëve dhe municioneve.
Sinjali i televizionit u ndërpre, ekranet u errësuan dhe fjala e lirë u mbyll me dryn. Mbi 250 njerëz, që jetonin me punën e tyre të ndershme, e gjetën veten në rrugë. Por humbja nuk ishte vetëm e tyre. Ishte edhe e publikut, i cili u privua nga e drejta për t’u informuar në ekranin e News24. Ishte një dënim kolektiv për një shoqëri që kërkon të dijë, të pyesë dhe të kuptojë.
Ky nuk ishte një akt administrativ, por një sulm brutal që tronditi themelet e gazetarisë së lirë në Shqipëri. Me polici e ushtri përballë gazetarëve, pushteti tregoi fytyrën më të ftohtë, atë që s’ka frikë nga ligji, por nga e vërteta.
Që në ditët e para reagimet ndërkombëtare nuk munguan. Organizata të mëdha dhe institucione e ambasada të BE dhe SHBA e dënuan arbitraritetin dhe presionin ndaj medias.
Dhe së fundi, vetë Komisioni Evropian e shënoi këtë plagë në raportin e tij për Shqipërinë.
“Shqetësim mbi ligjshmërinë dhe procesin e rregullt ligjor në lidhje me veprimin e autoriteteve në parandalimin e aksesit të gazetarëve nga katër media… masat kufizuese nuk ishin proporcionale dhe në kundërshtim me nenin 10 të KEDNJ-së mbi lirinë e shprehjes…”, thuhet ndër të tjera në raport.
Paragrafi i mësipërm i raportit të KE, nuk është thjesht një frazë burokratike. Është një aktakuzë e shkruar në dokumentin më zyrtar të Evropës që mat standardet demokratike të vendit. Një kujtesë se në gusht të vitit 2025, Shqipëria provoi një kapitull të errët për median dhe për shtetin ligjor.
Por ndryshe nga sa mund të pritej, pushteti nuk reflektoi. Përkundrazi, vetëm dy ditē më parë ai i dha dritën jeshile kompanisë “Kayo” për të nisur prodhimin e armëve pikërisht në godinën ku dikur prodhoheshin lajmet, aty ku dikur lindte informacioni, tani do të prodhohen plumba që vrasin.
Ky është mesazhi që qeveria u dërgon gazetarëve; Kush pyet shumë, rrezikon. Kush nuk përkulet, mbyllet.
Ngjarja e 9 gushtit është një provë e hidhur për mënyrën se si pushteti mund të shndërrohet në armë kundër fjalës së lirë. Ajo tregon se në Shqipëri gazetarët mund të ndëshkohen nëse kanë guximin për të folur.
Prandaj liria e medias nuk është luks, as privilegj. Është mburoja e fundit e qytetarëve ndaj pushtetit. Nëse ajo thyhet, humbim të gjithë, sepse aty ku goditet gazetaria, fillon të vdesë demokracia.
and then