
Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Keidi Mehmetaj, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, duke e cilësuar këtë si një aferë të rëndë dhe tregues të degradimit institucional në vend.
“Është një aferë e rëndë që është zbardhur në sytë e qytetarëve. Padyshim, tek ne kjo është bërë rutinë, nuk na bëjnë më përshtypje funksionarë të lartë të shtetit që kapen duke kryer vepra penale,” tha Mehmetaj. Sipas saj, çështja e Ballukut është vetëm një hallkë në një zinxhir më të gjerë korrupsioni që përfshin nivelet më të larta të pushtetit.
“Tani shohim zv/kryeministren dhe do vijë dita të shohim edhe kryeministrin,” shtoi ajo, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia politike dhe morale shkon përtej individëve të veçantë.
Në lidhje me reagimin qytetar ndaj këtyre zhvillimeve, Mehmetaj theksoi se nuk pret që njerëzit të ngrihen vetë në protesta, pasi në një shoqëri demokratike rolet janë të ndara. “Është detyra e opozitës, që është votuar nga njerëzit, të ngrejë, motivojë dhe organizojë reagimin. Opozita tani e ka vendin në rrugë,” deklaroi ajo.
Duke folur për mënyrën se si opozita duhet të veprojë, Mehmetaj nënvizoi se protesta nuk duhet të shihet si një mjet i konsumuar, por si një instrument demokratik që duhet përdorur me përgjegjësi. “Se cili do jetë mekanizmi që rruga të mos jetë instrument si më parë, kjo është detyrë e opozitës për ta gjetur. Kjo nuk duhet të pengojë vetë qytetarët që të organizohen për të gjetur më të mirën,” tha ajo.
Në përfundim, ish-deputetja apeloi për vendosmëri dhe guxim brenda opozitës: “Nuk duhet të kemi frikë nga vetja jonë si opozitë. Këto janë momentet që të reagojmë më së shumti. Kjo është të lësh betejën, por beteja nuk lihet.”
and then