
Biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli implikon zv/kryeministren Belinda Balluku në një tjetër aferë, pas asaj 50 mln euro të tunelit të Llogarasë, për të cilën është zyrtarisht e pandehur nga SPAK, për abuzime me tenderat.
Gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu, Pacolli ka zbuluar detaje nga takimi që ka zhvilluar me përfaqësues turq në zyrën e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me koncesionin e aeroportit të Vlorës.
Pacolli tha se gjatë takimit ishte ndjerë i fyer nga sjellja e saj. Gjatë bisedës, rrëfen Pacolli, zv/kryeministrja ishte shfaqur shpërfillëse ndaj tij, ndërsa dukshëm kishte favorizuar investitorët turq. Pacolli tregon se Balluku i kërkoi turqve të merrnin tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Belinda Balluku është e pandehur nga SPAK për aferën 50 milionë euro të tunelit të Llogarasë, çështje që ka tronditur qeverinë dhe ka hapur debat mbi mënyrën si jepen koncesionet dhe tenderat publikë, dukshëm fituesit janë të paracaktuar, siç zbulohet edhe nga mesazhet e Belinda Ballukut me ish-vartësin e saj, Evis Berberi dhe dëshmia e biznesmenit Behgjet Pacolli.
Aeroporti i Vlorës duket një tjetër tjetër aferë në horizont për Prokurorinë e Posaçme, me protagoniste sërish zv/kryeministren Belinda Balluku.
Pjesë nga intervista
Behgjet Pacolli: Marr një telefonatë nga një person në Turqi, të cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni që më thotë: “Zoti Behgjet unë jam ai” dhe më bie ndërmend kush ishte. Ai më tha se kishte marrë një telefonatë nga Presidenca turke që të udhëtonte në Shqipëri me dy detyra. E para ishte që të ndërtonte një spital dhe e dyta për një aeroport që ata mund të ishin bashkëfinacues. I them: “Pse jo. Është në rregull kjo që të bëhet.
Unë isha më pas në një event në Kazakistan ku ishte dhe ai dhe biseduam. E lamë që të bëjmë një takim në Shqipëri. Kam marrë një telefonatë prej tij më pas dhe më tha që kishte lënë një takim në ministrinë e Infrastrukturës në Shqipëri dhe më pyeti nëse mund të vija dhe unë. Dhe unë shkova. Ishte një ditë me shi.
Blendi Fevziu: Pse ju duhej një partner kur ju keni eksperiencë në ndërtimin e aeroportit të Astana, Tolumbador, dhe disa aeroporte. Ju keni ndërtuar aeroporte më të mëdha se i Vlorës, pse ju duhej kjo kompani?
Behgjet Pacolli: Sepse e kërkonte kontrata e koncesionit, një firmë menaxhuese. Ne nuk e kemi një firmë menaxhuese të dedikuar për atë.
Blendi Fevziu: Por ju kishit firmën e Mynihut firmë menaxhuese…
Behgjet Pacolli: Po, por gjatë kohës u interferua ky person. Më thërrasin dhe unë shkoj në Shqipëri atë ditë…
Blendi Fevziu: Informacioni ju vjen përmes Presidencës së Turqisë?
Behgjet Pacolli: Ai ashtu më flet, përmes Presidencës së Turqisë, që duhet të shkoj në Shqipëri.
Dhe unë atë ditë vonohem pak në trafik dhe ai më pret para Ministrisë. Unë as e kam ditur cila ndërtesë ishte e Ministrisë së Infrastrukturës. Personi që ishte me mua më çon aty dhe e takojmë këtë person në fund të shkallëve.
Hymë brenda dhe ai u ul përballë ministres. Unë mbeta në një anë tjetër. Unë shihja në fytyrë vetëm turkun dhe shpinën e ministres gjithë kohën. Kuptova që ministrja i propozoi që të marrë pjesë në këtë tender. Ajo i propozoi që të ishin bashkë-financues. Unë në një moment ju them: “Ju jeni duke bërë muhabet. Unë po shkoj. Po e pres këtë mikun tim poshtë në restorant. Përshëndetem me ta dhe dal. Të them të drejtën isha pak i fyer. Ishte hera e parë që shkoj diku dhe dikush nuk më konsideron.
Megjithatë turku erdhi në restorant dhe më tha se do të merrte 60%. I thashë dakord, por unë do të rivlerësoja nëse ia vlente të hyja në minorancë në këtë investim apo jo. Kam folur me kompaninë dhe isha i bindur që të mos hyja në këtë investim. Duke u kthyer në Kosovë, turku më telefonon dhe më thotë që unë do të kisha 60% dhe ata 40%. Megjithatë marrëveshja ishte që 2% i merrte Valon Ademi ndaj në fund ramë dakord që unë të kisha 58%, turqit 40% dhe Valon Ademi 2%.
Blendi Fevziu: A ka patur një marrëveshje xhentëlmenësh, një nënshkrim paraprak, ose edhe me gojë mes jush dhe zotit Ademi që ai do të ngjitej në kuotat e 49% nëse turqit do të tërhiqeshin? Sepse zakonisht, këto konsiderohen kontrata me letra, pra turqit marrin pjesë për letra…
Behgjet Pacolli: Kalojnë disa javë dhe ne fillojmë të përgatitemi, kontaktojmë institucionet financiare kush mund të bëjë diçka dhe ne i ftojmë turqit që të vijnë dhe të bëjmë takimin e parë për të ecur përpara. Por ne marrim një letër prej tyre ku na thonë se nuk kemi mundësi për të marrë pjesë në këtë koncesion. Nuk jemi të interesuar të investojmë, thonë dhe a mundemi të tërhiqemi. I them si të tërhiqeni se keni dhënë letrat, certifikatat për këtë investim… Ata thonë se nuk mundemi se kemi ndërtuar edhe një spital dhe jemi zhgënjyer pa katy për arsye se Presidenca turke na ka premtuar se do të na japë mjetet dhe na i ka vonuar pagesat.
Blendi Fevziu: Ai ka folur edhe për takimin e muajit korrik me Ramën në zyrën e këtij të fundit ku e pranishme ishte edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. Pacolli mohoi që në këtë takim të kishte pasur përplasje me Ramën ndërsa pranoi tensionin me Ballukun.
Behgjet Pacolli: Ai takim ka qenë i thirrur nga kryeministri. Unë kam shkuar me vëllain tim. E kam informuar kryeministrin për mbarëvajtjen e punëve. Problem ka qenë një hangar, për të cilin një firmë italiane insiston që ne ta bëjmë sa më shpejt që ata ta shfrytëzojnë për shërbimet e avionëve.
Por ai hangar është jashtëzakonisht i kushtueshëm sepse duhet të hyjnë dy aeroplanë të mëdhenj dhe kostoja e tij është diku mbi 20 milionë. Aty i thashë kryeministrit se hangari do të bëhet, por duhet të ketë durim sepse ne nuk mund ta përballojmë tani.
Tension me Ballukun në mbledhje?
Behgjet Pacolli: Ka pasur një rast. Ajo ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes dhe përfundimin në kohë të punimeve dhe mua ma lëshoi një fjalë se nuk ka mbajtur dot premtimin përballë italianëve për hangarin. Unë i kam thënë që hangari do të bëhet, por unë nuk mund ta marr përsipër edhe këtë investim. Ishte dhe momenti kur unë kisha mësuar për këtë skandalin që më ka bërë partneri tjetër.
Askush në atë takim nuk është marrë me përqindjen e aksioneve. As Rama, as Balluku. Absolutisht jo, por në atë kohë unë e kam informuar se ka ndodhur një gjë e tillë. Më kanë thënë se transferimi i aksioneve duhej të bëhej me lejen e Ministrisë që ajo drejton. Ajo leje nuk është dhënë asnjëherë.
Dola i nervozuar? Jo. Atë ditë kam qenë edhe i sëmurë. Kam pasur tension të lartë të gjakut. E kam lënë vëllain të bisedojë aty dhe kam dalë poshtë. Kam pritur sepse nuk po e gjeja makinën në moment. Kam marrë dy tabletat e mia që i mbaj në makinë. Ky ka qenë shqetësimi”.
and then