Në shënjestër bare dhe salla koncertesh/ Dyshohet se po planifikonin sulme terroriste në Paris, arrestohen tre vajza

Tre vajza të reja franceze, të moshës 18, 19 dhe 21 vjeç, janë arrestuar në Francë nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist në hapësira publike në Paris, vetëm pak ditë para përkujtimit të dhjetëvjetorit të sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Bataclan dhe vende të tjera në kryeqytetin francez. Lajmi u konfirmua nga Zyra Kombëtare e Prokurorit Antiterrorizëm (PNAT), pas raportimeve fillestare të RTL dhe Le Parisien.

Sipas autoriteteve, tre të dyshuarat, të gjitha shtetase franceze dhe që besohet se janë radikalizuar, u arrestuan në Lyon, Vierzon dhe Villeurbanne. Pas marrjes në pyetje, ato u vendosën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Ky është sulmi i gjashtë i parandaluar në Francë që nga fillimi i vitit 2025, ndërsa hetimi është hapur me akuzat për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste me qëllim përgatitjen e krimeve kundër personave”.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme (DGSI), grupi kishte shënjestruar bare dhe salla koncertesh në Paris, edhe pse ende nuk ishte identifikuar një objektiv specifik.

“Truri” i grupit – një 19-vjeçare e papunë
Hetimet zbuluan se 19-vjeçarja, e konsideruar si organizatorja kryesore e planit, ishte e papunë dhe kishte braktisur shkollën. Sipas RTL, ajo u identifikua përmes kontakteve me një militant islamist, me të cilin dyshohet se ka diskutuar për blerjen e një pushke Kalashnikov dhe ndërtimin e rripave vetëvrasës. Autoritetet besojnë se tre vajzat janë takuar të paktën një herë gjatë fazës përgatitore të planit, çka forcon dyshimet për ekzistencën e një qëllimi real për të vepruar.

Avokatët: Të shmangen përfundimet e nxituara
Megjithatë, avokatët mbrojtës u kanë bërë thirrje mediave dhe publikut të mos nxjerrin përfundime të parakohshme.
“Hetimi paraprak do të na lejojë të dallojmë midis asaj që është reale dhe asaj që nuk është. Duhet kujdes për të shmangur përfundimet e nxituara,” – deklaroi Thibault Bailly, avokati i 21-vjeçares, e cila vuan nga aftësi të kufizuara fizike dhe ka një histori të pastrehësisë. Ndërkohë, Jean-Baptiste Riolacci, avokati i 18-vjeçares, e përshkroi klienten e tij si “një vajzë shumë të papjekur”, duke shtuar se deklaratat e saj mund të jenë produkt i fantazive naive, më shumë sesa një kërcënim real terrorist.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×