Kumbaro nga Elbasani: Nisim një program pilot që afron nxënësit me natyrën duke i përfshirë në aktivitete

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vizitoi mjediset e qendrës kërkimore dhe laboratorit “Amel” në Elbasan në vijim të punës me programet ekstrakurrikulare siç është ai i tokës në shkollë , ku po punohet për një projekt pilot mes Ministrisë së Arsimit, Bashkisë Elbasan dhe kësaj qendre me qëllimin për të afruar nxënësit me natyrën dbe për t’i njohur me bimët dhe vlerat e tyre.

Ministrja Kumbaro, gjatë takimit me sipërmarrësit Arben dhe Lindita Vrushi të cilët studiojnë bimët medicinale, i përpunojnë ato e ripërpunojnë mbetjet e tyre, u shpreh:
“Ne duam të stimulojmë tek fëmijët edhe aftësi të tjera jashtë programeve shkollore që janë marrëdhënia me njerëzit, sportin, artet, zejet, e sidomos me natyrën. Qëllimi është që falë shkollës dhe programeve si “Toka në shkollë” të rivendosim marrëdhëniet mes fëmijëve dhe natyrës me projekte konkrete që bashkojnë pasionin e profesionistëve, bashkisë që investon në infrastrukturën shkollore dhe Ministrisë së Arsimit që bën programin. Nga shkollat e Elbasanit nisim një projekt pilot, i cili nëse do të ketë sukses, do të përhapet dhe në shkollat e tjera. Në 5 shkollat e këtij projekti pilot, parashikojmë të ndërtojmë serra të vogla me bimë nën koordinimin dhe këshillat tuaja, fëmijët të kujdesen për bimët, të njihen me vlerat, të ndërtojnë herbariume që atyre t’ua bëjmë atraktiv këtë proces”.

Ky projekt do të supervizohet nga kjo qendër, ndërsa nxënësit do të jenë pjesë aktive në procesin e rritjes e përkujdesjes ndaj bimëve.
“Ne duam shumë që të zhvillohet arsimi në këtë drejtim, sepse falë tij nesër do të kemi atë fuqi punëtore të kualifikuar që do të na duhet”, u shpreh Vrushi.

Nga ana tjetër, Bashkia Elbasan, do të krijojë infrastrukturën për ndërtimin e hapësirave ku do të zhvillohet ky projekt:
“Në gjithë shkollat tona duam të rikthejmë laboratorët e kimisë dhe të biologjisë dhe ky është hapi i parë e një model se si fëmijët dhe të rinjtë tanë të jenë sa më afër natyrës dhe të kuptojnë çelësin e saj”, nënvizoi kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×